11 shtator 2001, historia e një makinisti që shpëtoi qindra njerëz

Amerika

11 shtator 2001, historia e një makinisti që shpëtoi qindra njerëz

Më: 7 shtator 2021 Në ora: 18:07
Joe Irrizary

Në orën 8:46 të mëngjesit të 11 shtatorit 2001, Joe Irizarry po drejtonte një tren udhëtarësh në Nju Jork, shumë afër kullave binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë. Disa sekonda më vonë, aeroplani i parë u përplas në kullën e parë. Korrespondentja e Zëri të Amerikës, Anna Nelson bisedoi me zotin Irizarry mbi ngjarjen, 20 vjet më vonë.

"Unë mendoj se kam qenë më i lumtur para kësaj ngjarjeje. Isha 40 vjeç, ndihesha mirë. Isha i martuar, baba i katër fëmijëve. Kisha dëshirë të bëhesha polic, por kjo nuk funksionoi, kështu që isha drejtues trenash në qytetin e Nju Jorkut. Isha në gjendje të siguroja një jetë të mirë. Unë bëja punën që nuk më pëlqente shumë, por ajo paguante faturat. Unë isha drejtues i trenit të linjës R më 11 shtator të vitit 2001", thotë Joe Irizarry.

Ai e mban mend mirë mëngjesin e asaj dite. Në orën 8:45 të mëngjesit treni i tij ndaloi në stacionin Cortlandt Street kur ai ndjeu një shpërthim që e lëkundi trenin.

“Nuk e dija se çfarë ishte. Nuk e dija nëse u godita nga një tren tjetër apo shpërtheu një bombë. I thashë konduktorit tim që të hapte dyert pasi ndaluam në stacion dhe unë shkova për kontrolluar pjesën e pasme të trenit. Pashë dy gra që po vraponin poshtë shkallëve, të cilat më thanë se një aeroplan sapo kishte goditur kullën e parë. Unë u kërkova të gjithë pasgjerëve që të qëndronin në tren, kështu që ata që ishin në platformë hipën përsëri në tren”.

Zoti Irizarry thotë se në atë moment, një valë njerëzish filluan të mbushnin stacionin e trenit, platforma e të cilit filloi të mbulohej nga një re pluhuri dhe mbeturinash.

"Ishte e frikshme. Në atë moment askush nuk e dinte se ishte një sulm terrorist. Të gjithë mendonin se ishte një aksident. Kishte njerëz që vraponin poshtë shkallëve për të hipur në tren, i thashë konduktorit që t’i mbante dyert hapur derisa të gjithë njerëzit të hynin në tren. Stacioni Cortlandt Street ishte pikërisht përballë kullës, më pak se 100 metra larg saj. Pra, unë isha në stacionin nëntokësor kur avioni i parë goditi kullën. Nuk më zuri paniku në atë moment. Detyra ime ishte të dërgoja njerëzit në një vend të sigurt", thotë ai.

Rregulli i përgjithshëm për drejtuesit e trenave është të mbërrijnë në stacion, të presin jo më shumë se 10-15 sekonda, derisa njerëzit të hipin në tren, të mbyllin dyert dhe të largohen. Zoti Irizarry shkeli të gjitha këto rregulla.

"Në atë moment u sigurova që të gjithë njerëzit të ishin në gjendje të hipnin në tren. Dhe në momentin kur nuk pamë njeri jashtë trenit, mbyllëm dyert dhe u nisëm. Disa qindra njerëz kishin hipur në tren. Kontaktova me Qendrën e Kontrollit për t’i informuar mbi atë qe po ndodhte...ishte një situtatë e rëndë", thotë ai.

"Kur arrita në stacionin Avenue Continental, atëherë zbulova saktësisht se çfarë kishte ndodhur, kulla po rrëzohej. Hyra në dhomën e personelit dhe e pashë ngjarjen në televizor. Në atë moment, mua më zuri paniku. E kuptova se kisha qenë nën ndërtesën që po rrëzohej. Pastaj, unë shkova në shtëpi dhe fillova të qaja."

Stacioni i Cortlandt Street u dëmtua rëndë dhe u desh të rindërtohej plotësisht. Një pjesë e stacionit u shemb. Zoti Irizarry ishte larguar në kohën e duhur.

"Autoriteti i tranzitit më vuri në kontakt me një pasagjere, e cila kishte kontaktuar median. Unë takova Lindën, e cila ishte ulur në vagonin e ngjitur me kabinën e drejtuesit të trenit."

"Në fakt, mu deshën disa ditë para se ta kontaktoja atë për shkak të tronditjes që përjetova. Doja të riktheja qetësinë, sepse atë ditë humba shumë miq. Pastaj vendosa ta bëja telefonatën, ta falenderoja atë”, thotë Linda DeSilvio.

“Është një ndjesi e mirë të mendosh që dikush të konsideron hero. Kjo është puna jonë, t'i mbajmë klientët tanë të sigurt!", tha Joe Irrizary në shtator të vitit 2001, pas takimit me pasagjeren Linda DeSilvio.

Kanë kaluar dy dekada nga tragjedia, por për zotin Irizarry, gjithçka është ende reale dhe shumë e dhimbshme.

“Merrja shumë ditë pushimi sepse nuk doja të kaloja më në atë zonë. Pastaj, bazuar në vitet e punës, unë zgjodha të punoja në linja të tjera të trenave. Kur drejtoja trenin shpesh filloja të qaja. Më 31 dhjetor të vitit 2011 dola në pension. Unë vuaj nga sindroma e stresit post-traumatik, ankthi, depresioni, astma. Nuk ka asnjë lehtësim. Unë mendoj për të gjithë ata që vdiqën në atë moment, edhe pse unë jam akoma këtu. Kanë kaluar 20 vjet, por mua më duket sikur kjo ka ndodhur dje...”, thotë ai./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat