Dhoma e Përfaqësuesve voton për ta kaluar çështjen "Bannon" në Departamentin e Drejtësisë

Amerika

Dhoma e Përfaqësuesve voton për ta kaluar çështjen "Bannon" në Departamentin e Drejtësisë

Më: 21 tetor 2021 Në ora: 22:40
Steve Bannon

Dhoma e Përfaqësuesve votoi 229 pro dhe 202 kundër për ta mbajtur Steve Bannon, një prej këshilltarëve më të vjetër të ish-Presidentit Donald Trump, përgjegjës për refuzimin e bashkëpunimit në një hetim të Kongresit mbi sulmin e dhunshëm të 6 janarit ndaj Kapitolit.

Dhoma e Përfaqësuesve, e cila mbizotërohet nga demokratët, e miratoi vendimin e marrë tashmë nga komisioni i 6 janarit, ndërsa votës pro iu bashkuan edhe 9 republikanë. Pjesa më e madhe e republikanëve votoi kundër.

Vendimi pritet t'i dërgohet prokurorit federal të Uashingtonit për t'u paraqitur para një jurie të madhe e cila do të shqyrtojë mundësitë për ngritjen e një padie ndaj zotit Bannon. Nëse shpallet fajtor, zoti Bannon rrezikon të dënohet deri në një vit burg, por akuza të tilla që lidhen me shpërfillje të thirrjeve zyrtare nga ana e Kongresit, janë të pazakonta, dhe rrallë rezultojnë me burg.

Komisioni që po heton sulmin e dhunshëm të 6 janarit votoi të martën duke e akuzuar zotin Bannon për shpërfillje të kërkesës së saj e për rrjedhojë pengim të punës së Kongresit. Komisioni tha se ai ishte dëshmitari i vetëm që kishte mohuar plotësisht thirrjen për të dëshmuar. Sipas përfaqësuesve të komisionit të 6 janarit, zoti Bannon ka folur me zoti Trump para sulmit dhe i ka mbështetur protestat e asaj dite.

Komisioni i kontrolluar nga demokratët po heton se si dhe pse qindra mbështetës të zotit Trump sulmuan ndërtesën e Kapitolit, ndërsa ligjvënësit po çertifikonin rezultatin e zgjedhjeve që shpallte fitues demokratin Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.

Ndërsa zoti Trump ndodhej në ditët e fundit të tij të presidencës, ai u bëri thirrje mbështetësve të tij gjatë një tubimi pranë Shtëpisë së Bardhë të "luftojnë me të gjitha forcat" për të bllokuar çertifikimin e frezultatit që shpallte fitues zotin Biden. Menjëherë më pas, më shumë se 800 mbështetës të zotit Trump sulmuan Kapitolin, disa prej tyre kryen akte vandale ndaj ndërtesës dhe u përplasen me policinë. Ndaj më shumë se 600 personave janë ngritur akuza për një sërë veprash penale. Nga zhvillimet e asaj dite gjetën vdekjen pesë persona.

Zoti Trump është përpjekur ta pengojë hetimin që po kryen komisioni rreth atyre që nxitën trazirat dhe rolin e tij në të. Ai i ka kërkuar zotit Bannon dhe ish-ndihmësve të tjerë të tij të thirrur për të dëshmuar në komision që t'i refuzojnë kërkesat, duke thënë se gëzon privilegj ekzekutiv për të mos publikuar dokumentet e Shtëpisë së Bardhë, edhe pse ai u largua nga detyra më 20 janar. Zoti Bannon ishte këshilltari kryesor i zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë gjatë shtatë muajve të parë të 2017 dhe ka mbetur një nga mbështetësit e tij më të zëshëm.

Të hënën zoti Trump ngriti një padi ku pretendon se komisioni bëri një kërkesë të paligjshme, të pabazuar dhe tepër të gjerë për të kërkuar dokumente të Shtëpisë së Bardhë gjatë kohës që ai ishte në detyrë.

Shtëpia e Bardhë nën Presidentin Biden argumenton se pretendimet e zotit Trump për privilegj ekzekutiv nuk janë të ligjshme.

"Veprimet e ish-presidentit përfaqësojnë një kërcënim unik dhe ekzistencial për demokracinë tonë, gjë që nuk mund të fshihet", tha zëdhënësi Michael Gwin. "Mbrojtja që ofron kushtetuta nëpërmjet privilegjit ekzekutiv nuk duhet të përdoren për të mbrojtur informacione që pasqyrojne një përpjekje të qartë e të dukshme për të shkelur vetë Kushtetutën", shtoi ai./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat