Nënpresidentja Harris, thirrje Senatit për të mbështetur të drejtën e votës

Amerika

Nënpresidentja Harris, thirrje Senatit për të mbështetur të drejtën e votës

Më: 17 janar 2022 Në ora: 21:44
Nënpresidentja Kamala Harris

Gjatë një fjalimi në Kishën Baptiste Rev. King në Atlanta, Nënpresidentja Kamala Harris i kërkoi Senatit të veprojë në mbështetje të së drejtës së votës, ndërsa paralajmëroi se përpjekjet për të kufizuar të drejtën për të votuar në disa shtete amerikane mund të ndërlikojnë qasjen tek votimi për miliona banorë.

“Senati duhet të miratojë ligjin tani”, tha ajo, ndërsa shtoi se “sot, nuk duhet të ndihmi krenarë ose bashkëfajtorë“.

Edhe familja e udhëheqësit të vrarë të të drejtave civile Martin Luter King Jr. dhe mbështetës të tij, marshuan në Uashington duke kërkuar miratimin e një ligji për të mbrojtur votuesit nga diskriminimi racor.

Ky organizim vjen pas një jave zhgënjyese për Presidentin Joe Biden, i cili shkoi në Kapitol për t’i kërkuar Senatit të ndryshojë një rregull parlamentar që mban bllokuar ligjin mbi të drejtën e votës, por ai ndeshi në kundërshtinë e dy demokratë konservatorë në Senat.

Në një tubim para marshimit të së hënës, i biri i Martin Luther Kingut, Martin Luther King III, vlerësoi demokratët për miratimin e projektligjit gjithëpërfshirës të infrastrukturës vitin e kaluar, por u kërkoi atyre që të nxisin miratimin e ligjeve për të drejtat e votimit.

“Ishit të suksesshëm për infrastrukturën, që është diçka e madhe. Por duhet që të fusni në përdorim energjinë e njëjtë që të siguroheni se të gjithë amerikanët mund të votojnë të papenguar”, tha ai.

Zoti King III, gruaja e tij, Arndrea Waters King dhe vajza e tyre Yolanda Renee King, udhëhoqën marshimin në Uashington.

“Ne duhet të sigurohemi se të gjithë në këtë vend kanë mundësi të shkojnë tek qendrat e votimit, të votojnë dhe që votat e tyre të kenë vlerë“, thotë Lisa Meuiner, një 53 vjeçare nga Uashingtoni që po marshonte.

Projektligji mbi të drejtën e votës do të zgjeronte mundësitë e votimit me postë, do të forconte mbikëqyrjen federale të zgjedhjeve në shtetet që kanë një histori të diskriminimit racor dhe do të shtrëngonte rregullat e financimit të fushatave.

Demokratët thonë se ligji është i domosdoshëm për të kundërshtuar kufizimet e reja të votimit të miratuara në shtetet e udhëhequra nga republikanët, që sipas vëzhguesve të zgjedhjeve vështirësojnë votimin e pakicave dhe atyre me të ardhura të ulëta.

Kufizimet e reja mbi votën janë shfaqur pas pretendimeve false të ish-Presidentit Donald Trump në zgjedhjet e vitit 2020 se humbja e tij është rezultat i manipulimeve.

Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer njoftoi se të martën Senati do të shqyrtojë projektligjin.

Republikanët kanë gjysmën e 100 vendeve në Senat dhe janë të bashkuar në kundërshtimin e ligjit, të cilin ata e shohin si ‘grabitje të pushtetit nga një parti politike’.

Kjo lë vetëm një rrugë për Presidentin Biden dhe Senatorin Schumer, bindjen e senatorëve demokratë konservatorë, Joe Manchin dhe Kyrsten Sinema që të pajtohen për ndryshinin e rregullit parlamentar të quajtur “filibuster”, në bazë të së cilit miratimi i shumicës së ligjeve kërkon mbështetjen e 60 senatorëve.

Amerika nderon udhëheqësin e të drejtave civile Martin Luther King

Kanë kaluar 54 vjet që nga vrasja e Dr Martin Luther King, Jr. - predikuesi afrikano-amerikan i cili udhëhoqi një lëvizje të të drejtave civile që ndryshoi Amerikën dhe bëri jehonë në mbarë botën. Që nga ajo kohë, Shtetet e Bashkuara kanë bërë hapa të mëdhenj në çështjen racore, por ndarjet e thella ende vazhdojnë.

“Dua t'u them njerëzve në Amerikë dhe kombeve të botës, ne po bëjmë përpara dhe asnjë valë racizmi nuk mund të na ndalë".

Ngritja e Martin Luther King Junior si një udhëheqës i të drejtave civile filloi në vitin 1955 kur ai drejtoi përpjekjet kundër ndasive në rrjetin e autobusëve publikë në shtetin Alabama. Më pas ai drejtoi lëvizjet paqësore kombëtare me kërkesa për të drejta të barabarta.

Në vitin 1964, zoti King fitoi Çmimin Nobel për Paqen dhe po atë vit Presidenti amerikan Lyndon Johnson nënshkroi Aktin e të Drejtave Civile dhe një vit më vonë, Aktin e të Drejtave të Votës. Masat shpallën të jashtëligjshme ndarjet racore në vendet publike dhe praktikat diskriminuese që i pengonin afrikano-amerikanët të votonin.

“Unë kam një ëndërr që katër fëmijët e mi të vegjël një ditë do të jetojnë në një komb ku nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës së tyre, por nga përmbajtja e karakterit të tyre”, pati thënë zoti King në një nga fjalimet më mbreslënëse.

Përmes një forumi vitual Departamenti i Drejtësi nderoi veprimtarinë e zotit King. Kristen Clarke është Ndihmës Prokurorja e Përgjithshme për të Drejtat Civile në Departamentin e Drejtësisë.

“Dr. King ka patur një ndikim në jetët tona dhe trashëgimia e tij e shpresës dhe angazhimi i fortë për drejtësi dhe barazi mbeten të pranishme në punën tonë të përditshme në Divizionin e të Drejtave Civile.”

Shumë udhëheqës të të drejtave civile thonë se lufta e zotit King për të siguruar të drejta të barabarta votimi vazhdon edhe sot.

Sherrilyn Ifill është Presidente e Fondit të Mbrojtjes Ligjore dhe Arsimit në Shoqatën Kombëtare për Përparimin e Njerëzve me Ngjyrë, shkurtimisht NAACP.

"Zoti King thoshte: Na jepni fletën e votimit që të mund të zgjedhim gjyqtarë që do të jenë të drejtë. Na lini të votojmë që të mund të zgjedhim përfaqësues që do të çojnë përpara zërin tonë. Që të mund të zgjedhim njerëz që e kuptojnë se si duhet të jetë një program i drejtësisë penale."

Ditë më parë, Presidenti Joe Biden dhe Zëvendëspresidentja Kamala Harris bënë nderimet e tyre tek varri i Martin Luther King Jr., në shtetin Xhorxhia, ku zoti Biden foli mbi debatin e vazhdueshëm kombëtar mbi të drejtën e votës.

“Nuk është vetëm këtu në Xhorxhia. Vetëm vitin e kaluar, 19 shtete nuk propozuan, por miratuan 34 ligje që dëmtonin të drejtat e votës. Republikanët e legjislaturave shtetërore u përpoqën të miratonin afro 400 ligje. Nuk është më se kush do të votojë. Por për ta bërë sa më të vështirë që të votohet dhe nëse vota juaj ka vlerë”.

Republikanët i hedhin poshtë kritikat e zotit Biden me arsyetimin se po përpiqen të mbrojnë votën dhe jo ta kufizojnë atë. Ata thonë se janë alarmuar nga propozimet për ndryshimin e ligjeve të Senatit për të miratuar një ligj kombëtar për të drejtën e votës pa mbështetjen republikane.

Ndërkohë, në të gjithë vendin po hiqen statujat që shumë i lidhin me racizmin, si kjo e gjeneralit të konfederatës Stonewall Jackson.

“Këto simbole janë të këqija për komunitetin, ndaj hoqëm atë urrejtje dhe tani mund të ndodhë shërimi", thotë Michelle Colbert, që ndoqi heqjen e statujës.

“Kam parë Tokën e Premtuar. Mund të mos arrij atje me ju, por dua që ju ta dini sonte se ne si popull do të arrijmë në Tokën e Premtuar.”

Zoti King u vra gjatë një atentati, në vitin 1968. Por dekada më vonë, fjalët e tij të famshme ende frymëzojnë shumë njerëz që të vazhdojnë të punojnë për drejtësinë racore, një çështje që mbetet çështje thelbësore e dialogut kombëtar amerikan./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat