Kërkohet dëshmia e Trumpit dhe fëmijëve të tij pas "të dhënave" për mashtrime

Amerika

Kërkohet dëshmia e Trumpit dhe fëmijëve të tij pas "të dhënave" për mashtrime

Më: 19 janar 2022 Në ora: 08:47
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump.

Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James, ka ndërmarrë veprime ligjore për të detyruar ish-presidentin amerikan, Donald Trump dhe dy fëmijët e tij, Donald Trump, Jr. dhe Ivanka Trump, që të paraqesin dëshmitë e tyre në kuadër të hetimeve për marrëveshjet financiare të Organizatës Trump, ka thënë zyra e saj.

“Për më shumë se dy vjet, Organizata Trump ka shfrytëzuar taktika të vonesave për dalje para gjyqit, duke tentuar të pengojë hetimet legjitime për marrëveshjet e saj financiare”, ka thënë James përmes një deklarate.

“Në hetimet e deritashme ne kemi nxjerrë të dhëna që sugjerojnë se Donald Trump dhe Organizata Trump kanë vlerësuar në mënyrë jo të vërtetë disa asete dhe kanë keqinterpretuar këto vlera me qëllim të përfitimit ekonomik”.

Prokurorët e Nju Jorkut janë duke hetuar nëse Trump dhe kompania e tij kanë mashtruar bankat dhe zyrtarët për taksa rreth vlerave të aseteve, në mënyrë që të marrin kredi të favorshme.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm nuk ka marrë ende një vendim final sa u përket të dhënave të siguruara deri më tani, mirëpo ka thënë se “arsyet për vazhdim të hetimit janë të vetëkuptueshme”.

Në fillim të këtij muaji, avokatët e Trumpit kanë prezantuar një mocion për parandalim të thirrjeve për intervistim, duke i konsideruar hetimet të motivuara politikisht.

Ish-presidenti amerikan po përballet me një mori betejash ligjore.

Në Uashington, ai është duke tentuar të parandalojë një hetim të nisur nga demokratët për dhunën në Kongres më 6 janar të vitit të kaluar.

Në korrik të vitit të kaluar, Organizata Trump dhe shefi i tij financiar për kohë të gjatë, Allen Weisselberg, janë deklaratë të pafajshëm ndaj akuzave për mashtrime me taksa.

Gjyqi ndaj Weisselberg pritet të nisë këtë vit.

Trump është duke tentuar edhe që të parandalojë prokurorët në lëshimin e të dhënave për taksat që ka paguar në vitet e fundit.REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat