Përmbytje në Brazil, uji “merr me vete gjithçka që gjen përpara” – të paktën 18 të vdekur

Amerika

Përmbytje në Brazil, uji “merr me vete gjithçka që gjen përpara” – të paktën 18 të vdekur

Më: 16 shkurt 2022 Në ora: 08:30
Përmbytje në Brazil

Nga rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut kanë gjetur vdekjen të paktën 18 persona të martën në një qytet turistik në kodrat mbi Rio de Zhaneiro, thanë zjarrfikësit brazilianë.

“Deri më tani, 18 vdekje të shkaktuara nga rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet janë konfirmuar”, në orët e fundit, tha në një deklaratë Departamenti i Zjarrfikësve në Rio de Zhaneiro, shkruajnë mediat e huaja.

Siç është thënë më tej, më shumë se 180 zjarrfikës dhe punonjës të tjerë të shpëtimit ishin në vendngjarje në qytetin piktoresk kodrinor të Petropolis, ku është varrosur perandori i fundit i Brazilit Pedro II, 68 kilometra (42 milje) në veri të qytetit të Rios.

Bashkia shpalli një “gjendje katastrofe” pasi imazhet u përhapën në mediat sociale të shtëpive të shkatërruara dhe makinave të përfshira nga përmbytjet.

Shumë dyqane u përmbytën plotësisht nga rritja e nivelit të ujërave që shpërthyen në rrugët e qendrës historike të qytetit.

Disa pjesë të Petropolis panë në 260 milimetra ujë në më pak se gjashtë orë, më shumë se sa pritej për të gjithë muajin shkurt, sipas agjencisë meteorologjike MetSul.

Reshjet më të mëdha kishin kaluar por reshjet më të moderuara priten të vazhdojnë për disa orë, thanë autoritetet.

Presidenti Jair Bolsonaro, që është në një udhëtim zyrtar në Rusi, tha në Twitter se po përcillte “tragjedinë” dhe u kërkoi ministrave të tij që të ofronin “ndihmë të menjëhershme për viktimat”.

Ndryshe, në fillim të këtij muaji, përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm vranë të paktën 28 njerëz në juglindje të vendit, kryesisht në shtetin Sao Paulo dhe rajonin në veri të Rios.

Ndërkohë në janar 2011, më shumë se 900 njerëz vdiqën në rajonin malor të Rios për shkak të shirave të dendur që shkaktuan përmbytje dhe rrëshqitje të dheut në një zonë të madhe duke përfshirë Petropolis dhe qytetet fqinje Nova Friburgo dhe Teresopolis. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat