SHBA thotë se "nuk ka arsye" të rrisë nivelin e alarmit bërthamor

Amerika

SHBA thotë se "nuk ka arsye" të rrisë nivelin e alarmit bërthamor

Më: 28 shkurt 2022 Në ora: 22:34
Shtëpia e Bardhë

Amerikanët nuk duhet të shqetësohen se mund të ketë luftë bërthamore, tha presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden të hënën, një ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin vendosi urdhëroi forcat parandaluese bërthamore ruse në gatishmëri të lartë.

Ndërkohë një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha të hënën se Shtetet e Bashkuara nuk shohin asnjë arsye për të ndryshuar nivelet e saj të alarmit bërthamor në këtë moment.

"Ne nuk kemi ndryshuar nivelet tona të alarmit dhe nuk kemi ndryshuar vlerësimin tonë në këtë drejtim, por gjithashtu duhet të jemi shumë të qartë në lidhje me përdorimin e kërcënimeve nga ana e tij," tha veçmas në një intervistë për televizionin MSNBC, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki.

Presidenti Biden pati një bisedë telefonike me aleatët dhe partnerët e SHBA-së të hënën, pasi një zyrtar amerikan tha se një luftë bërthamore nuk duhet të ndodhë kurrë. Udhëheqësit e Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Polonisë, Rumanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe zyrtarët e lartë nga Bashkimi Evropian ishin gjithashtu të pranishëm në bisedën telefonike.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i tha agjencisë Reuters se presidenti Putin po përshkallëzonte luftën me "retorikë të rrezikshme" dhe se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord prej kohësh që përdorimi bërthamor do të kishte pasoja shkatërruese.

"Ne mendojmë se retorika provokuese në lidhje me armët bërthamore është e rrezikshme, shton rrezikun e gabimeve dhe duhet të shmanget”, tha zyrtari.

Zyrtari tha se Shtetet e Bashkuara po peshojnë urdhrin e zotit Putin dhe në këtë moment nuk shohin "asnjë arsye për të ndryshuar nivelet tona të gatishmërisë". As Shtetet e Bashkuara dhe as NATO-ja nuk kanë ndonjë dëshirë apo synim për konflikt me Rusinë, shtoi zyrtari.

Shtëpia e Bardhë vuri në dukje gjithashtu se Rusia ka nënshkruar deklarata të përbashkëta sipas së cilave një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të bëhet kurrë/VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat