SHBA-ja vendos sanksione të reja ndaj Rusisë

Amerika

SHBA-ja vendos sanksione të reja ndaj Rusisë

Më: 20 prill 2022 Në ora: 21:19
Presidenti amerikan, Joe Biden.

Shtetet e Bashkuara më 20 prill njoftuan për rundin e ri të sanksioneve ndaj Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës. Sanksionet e reja kanë për shënjestër një bankë kyçe komerciale, Transkapitalbank, dhe “një rrjet global të më shumë se 40 individëve dhe entiteteve që udhëhiqen nga oligarku rus, Konstantin Malofeyev”.

Departamenti amerikan i Thesarit tha se po shënjestron “kompanitë që operojnë në industrinë e monedhave virtuale së Rusisë, që raportohet se është industria e tretë më e madhe në botë”, duke theksuar se ka “shënjestruar një kompani të monedhës virtuale”. Kompania e sanksionuar është BitRiver, që merret me Bitcoin, dhe dhjetë filialet e saj në Rusi.

Përveç kësaj, Departamenti amerikan i Shtetit ka vendosur kufizime të vizave për “635 shtetas rusë, të cilët janë të përfshirë në shtypjen e disidencës në Rusi dhe jashtë saj, të cilët kanë qenë të përfshirë në aktivitete të ndryshme që kërcënojnë integritetin territorial të Ukrainës dhe kanë qenë të përfshirë në shkeljet e të drejtave të njeriut në burgje dhe në objekte jozyrtare paraburgimi në zonat e kontrolluara nga Rusia në rajonin ukrainas të Donbasit.

Po ashtu, Departamenti amerikan i Shtetit, ka vendosur kufizime të vizave edhe për tre zyrtarë rusë “të përfshirë në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe 17 individë që konsiderohen përgjegjës për minimin e demokracisë në Bjellorusi”, njoftoi Thesari amerikan.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur një sërë rundesh të sanksioneve ndaj Rusisë, qëkur Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Në listën e sanksioneve amerikane është edhe presidenti rus, Vladimir Putin.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat