Qindra zona urbane në Shtetet e Bashkuara po bëhen rurale

Amerika

Qindra zona urbane në Shtetet e Bashkuara po bëhen rurale

Më: 2 maj 2022 Në ora: 21:22
Foto ilustrim

Qindra zona urbane në Shtetet e Bashkuara po bëhen rurale, jo sepse banorët po largohen, por sepse Byroja e Regjistrimit po ndryshon përkufizimin e një zone urbane.

Sipas kritereve të reja, më shumë se 1300 qytete të vogla, vendbanime dhe fshatra që u shënuan si “zona urbane” para një dekade, do të konsiderohen “rurale” në të ardhmen.

Kjo është e rëndësishme sepse ndryshon edhe financimi federal për zonat urbane dhe rurale, raporton abcnews.

Disa komunitete që po bëhen rurale janë të shqetësuar se mund të mbeten pa klinika shëndetësore dhe ata janë gjithashtu të shqetësuar për financimin e transportit dhe arsimit nga programet federale.

Për të përcaktuar se çfarë është urbane dhe çfarë rurale, Byroja e Regjistrimit po shikon numrin e banorëve si bazë, në “njësi banimi”. Zyrtarët e Byrosë thonë se ndryshimi do ta bëjë më të lehtë përditësimin e numrit të popullsisë së SHBA-së në periudhën dhjetëvjeçare midis dy regjistrimeve.

Deri më tani vendbanimi duhej të kishte të paktën 2500 banorë për të qenë urban sipas kritereve të vjetra që zgjatën më shumë se një shekull. Tani do t’i duhen të paktën 2,000 njësi banimi për këtë, që është e barabartë me rreth 5,000 njerëz.

Lista e rishikuar e zonave urbane do të publikohet në fund të këtij viti, por një e treta e zonave që konsideroheshin urbane do të vendosen në kategorinë e zonave rurale sipas kritereve të reja.

Vendet me 50 mijë e më shumë banorë deri më tani janë konsideruar si “zona të urbanizuara”, ndërsa “grumbullimet urbane” kanë qenë vende me nga 2500 deri në 49999 banorë. Por ato dallime do të eliminohen dhe e gjithë kjo do të quhet “zona urbane” sipas përcaktimit të ri.

Edhe pse Byroja e Regjistrimit thotë se përkufizimi i ri duhet të përdoret vetëm për qëllime statistikore, ajo është e rëndësishme sepse ato përbëjnë thelbin e zonave më të mëdha – “metro” dhe “mikro”, dhe këto përkufizime janë bazë për mënyrën se si të tjera shërbimet qeveritare klasifikojnë zonat urbane dhe rurale në përcaktimin e përshtatshmërisë për financim federal.

Byroja rishikon përkufizimet çdo 10 vjet, pas çdo regjistrimi. Popullsia urbane e SHBA-së u rrit nga rreth 45 përqind e totalit në vitin 1910, në më shumë se 80 përqind një dekadë më parë.

Megjithëse programet federale të financimit ndryshojnë dhe disa komunitete në të njëjtën kategori urbane ose rurale kualifikohen për disa, por jo për të tjerët, ndryshimet “do të kenë pasoja të rëndësishme për shumë”, tha Kenneth Johnson, demograf në Universitetin e New Hampshire që studion pyetjet rurale.

Përveç kësaj, “nëse shumë zona që tani janë urbane ripërcaktohen si rurale, konkurrenca për financim të kufizuar rural do të rritet”, tha Johnson. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat