Biden në fabrikën e prodhimit të armëve bën thirrje për miratimin e ndihmës së re për Ukrainën

Amerika

Biden në fabrikën e prodhimit të armëve bën thirrje për miratimin e ndihmës së re për Ukrainën

Më: 4 maj 2022 Në ora: 17:33
Presidenti Joe Biden në fabrikën në Alabama që prodhon armët që ai thotë se janë jetike në përpjekjet për të penguar pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Presidenti Joe Biden vizitoi të martën një fabrikë në Alabama që prodhon armët që ai thotë se janë jetike në përpjekjet për të penguar pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Ai gjithashtu bëri thirrje për miratimin nga Kongresi të kërkesës së tij për 33 miliardë dollarë ndihma shtesë për Ukrainën.

“Javelin” është më shumë se një sistem raketor portativ antitank i prodhuar nga Amerika. Sipas të dhënave të ushtrisë amerikane, arma peshon 23 kilogramë dhe ka një rreze maksimale veprimi prej 4 kilometrash.

Për miliona ukrainas ajo është bërë një simbol i luftës së tyre kundër agresionit rus dhe shpesh është quajtur "Shën Javelin-i".

Të martën, Presidenti Joe Biden vizitoi një fabrikë në Alabama, që prodhon këto sisteme raketore. Prodhimi i një arme të këtij lloji i kushton qeverisë amerikane 216,717 dollarë.

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar më shumë se 5000 prej tyre në Ukrainë dhe Presidenti Biden u tha punonjësve të fabrikës, se puna e tyre ka bërë një ndryshim të madh.

“Ato janë jashtëzakonisht efektive kundër një game të gjerë objektesh të blinduara. Në fakt, kjo që do të them nuk është shaka, ne kemi dëgjuar histori të prindërve ukrainas që u kanë vënë fëmijëve të sapolindur emrin ‘Javelin’ ose ‘Javelina’”, tha ai.

Ushtria e Ukrainës prej 200,000 trupash dhe një numër i madh vullnetarësh, po e përdorin këtë armë, tha zëdhënësi i ushtrisë ukrainase.

"Gjatë ditës së kaluar, njësitë e mbrojtjes ajrore goditën nëntë objektiva ajrore: dy avionë SU-25 dhe shtatë dronë. Vetëm në territoret e rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut gjatë ditës së kaluar, nëntë sulme të armikut u zmbrapsën. Në këto operacione u shkatërruan tetë tanke, një sistem artilerie, njëzet e katër automjete të blinduara, një automjet special dhe pesë lloje të tjera automjetesh, përfshirë dy cisterna”, tha zëdhënësi i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Shtupun.

Presidenti Biden i bëri thirrje Kongresit të miratojë paketën e re të ndihmës prej 33 miliardë dollarësh për Ukrainën. Zyrtarët e Pentagonit i thanë Kongresit së fundmi se Shtetet e Bashkuara kanë dërguar rreth një të tretën e rezervave të tyre të raketave “Javelin” dhe “Stinger” në Ukrainë dhe do të duhen vite për t’i zëvendësuar ato.

"Ne nuk do të jemi në gjendje t'u ofrojmë shumë, ose më shumë armë të këtij lloji ukrainasve, sepse Shtetet e Bashkuara vetë kanë nevojë për këto armë për të realizuar plane të caktuara luftarake. Dhe ka të ngjarë që tani të jemi nën nivelin e rezervave të duhura me këtë lloj arme. Ndoshta do t’i zëvendësojmë këto me lloje të tjera municionesh. Por, mendoj se ky ishte një sinjal se përse nuk do të shihni përfshirjen e armëve Javelin dhe Stinger në paketat e ardhshme të ndihmës ushtarake për Ukrainën”, thotë eksperti Mark Cancian nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Përpjekja për të prodhuar dhe furnizuar me shpejtësi Ukrainën po pengohet edhe nga sfidat e prodhimit të lidhura me pandeminë. Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit njoftoi këtë javë se porositë që kishte bërë për blerjen e armëve amerikane (topa Howitzer) do të vonohen për disa vite si rezultat i mungesës së kapacitetit në Shtetet e Bashkuara për prodhimin e tyre.

“Ajo që ne po i ofrojmë Ukrainës nuk ka ndikuar seriozisht në aftësinë tonë për t'iu përgjigjur situatave të tjera të paparashikuara. Mendoj se me kalimin e kohës, ju do të shihni një zëvendësim të armatimeve që ne po dërgojmë në Ukrainë. Dhe do të shihni një rritje të buxhetit të mbrojtjes pasi duhet të zëvendësojmë pajisjet dhe armët që kemi dërguar në Ukrainë. Çdo gjë do të jetë në rregull për sa kohë që ne mund ta bëjmë këtë”, thotë eksperti Mark Cancian.

Por sa do të zgjasë kjo? Rusia vazhdon sulmin e saj në Ukrainë, i cili ka hyrë në javën e nëntë.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre vazhdojnë të furnizojnë rajonin me armë dhe ndihma humanitare, por shumë rajone në Ukrainë mbeten të dëmtuara rëndë nga lufta./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat