Sulmi që la 10 të vdekur në New Jork – dëshmitarët rrëfejnë momentin kur ndodhi

Amerika

Sulmi që la 10 të vdekur në New Jork – dëshmitarët rrëfejnë momentin kur ndodhi

Më: 15 maj 2022 Në ora: 13:26
Sulmi në Amerikë

Dëshmitarët e një sulmi me motive racore në një supermarket të shtetit të New Jorkut kanë përshkruar momentin e tmerrshëm kur një 18-vjeçar nxori një armë dhe filloi të shtënat që lanë 10 të vdekur.

Sulmuesi, i veshur me veshje ushtarake, hyri në parkingun e makinave në Tops Friendly Market në Buffalo, dhe filloi transmetimin e drejtpërdrejtë nëpërmjet një kamere në helmetën e tij, shkruan BBC.

“Kur e pashë për herë të parë duke qëlluar, ai qëlloi një grua, qëlloi një dhjak, qëlloi një grua tjetër… dhe më pas ai hyri në dyqan dhe filloi të qëllonte përsëri”, u tha gazetarëve një burrë.

Katherine Crofton, një zjarrfikëse dhe mjeke në pension, i tha gazetës lokale se kishte qenë duke luajtur me qenin e saj dhe duke pirë një cigare kur dëgjoi një të shtënë nga veranda e saj e përparme.

“Nuk e pashë në fillim, u ktheva dhe e pashë që qëlloi këtë grua”, tha ajo.

“Ajo sapo po hynte në dyqan. Dhe më pas ai qëlloi një grua tjetër. Ajo po fuste sende ushqimore në makinën e saj. Unë zbrita sepse nuk e dija nëse ai do të më qëllonte”.

I armatosuri është identifikuar në dokumentet e gjykatës si Payton Gendron, nga Conklin, Nju Jork.

Nga 13 viktimat e qëlluara, policia tha se njëmbëdhjetë prej tyre ishin me ngjyrë. Autoritetet thonë se ishte një sulm me motive racore.

Brenda supermarketit “të mbushur”, menaxherja e operacioneve Shonell Harris tha për Buffalo Neës se ajo ishte duke nxjerrë sende ushqimore kur dëgjoi të shtënat.

“Dëgjova një zhurmë dhe më pas u bë gjithnjë e më afër dhe të gjithë filluan të vrapojnë”, tha ajo.

Duke dëgjuar të shtënat, zonja Harris tha se ajo shkoi në daljen e pasme dhe vrapoi në pjesën e përparme të dyqanit për të kërkuar vajzën e saj, e cila gjithashtu punonte brenda supermarketit.

Në pjesën e përparme të dyqanit, ajo tha se pa personin e armatosur, të veshur “si të ishte veshur për ushtrinë”, duke qëlluar një person tjetër.

Më pas ajo vrapoi përsëri në daljen e pasme, ku gjeti vajzën e saj. “Sapo e kapa, e përqafova”, tha ajo.

“Është si një makth… e shihni këtë në TV, dëgjoni për të në TV… por kurrë nuk e kisha menduar se do të isha një prej tyre”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat