SHBA lehtëson kufizimet në udhëtime për Kubën

Amerika

SHBA lehtëson kufizimet në udhëtime për Kubën

Më: 17 maj 2022 Në ora: 10:03
Ambasada amerikane në Havana.

Shtetet e Bashkuara do të heqin disa kufizime në udhëtime për Kubën, ka thënë administrata amerikane.

Ky vendim nënkupton se shërbimet për viza në Ambasadën amerikane në Havana do të ofrohen sërish për t’iu mundësuar kubanëve që të hyjnë në Shtetet e Bashkuara dhe të vizitojnë familjarët.

Pas këtij vendimi pritet të ketë rritje në udhëtime në mes të shteteve.

Edhe bllokada për transferim të parave nga SHBA-ja në Kubë do të hiqet.

Përveç kësaj, sektori privat i Kubës pritet të ketë qasje më të mirë në shërbimet amerikane të internetit dhe në platformat për tregti online.

Ministria e Jashtme e Kubës, në anën tjetër, e ka konsideruar vendimin “hap të kufizuar në drejtimin e duhur”.

Megjithatë, ministria në Havana ka thënë se kjo gjë nuk ka ndryshuar asgjë në embargon amerikane kundër Kubës apo në masat ekonomike të vëna nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump.

Në fund të muajit prill, Shtetet e Bashkuara dhe Kuba kanë mbajtur takime direkte për migrimin, për herë të parë në katër vjetët e fundit.

Në mesin e gjërave tjera është diskutuar edhe për zbatimin e marrëveshjeve për migrimin.

Ministria për Punë të Jashtme e Kubës ka kritikuar Shtetet e Bashkuara se nuk kanë respektuar marrëveshjen bilaterale që u ka garantuar 20,000 kubanëve viza brenda një viti.

Një zyrtar i lartë i Qeverisë amerikane ka thënë se ky numër mund të përmbushet shpejt./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat