Seancë dëgjimore në Kongres lidhur me UFO-t

Amerika

Seancë dëgjimore në Kongres lidhur me UFO-t

Më: 18 maj 2022 Në ora: 18:34
Foto ilustrim

Kongresi amerikan zhvilloi të martën një seancë dëgjimore lidhur me provat e egzistencës së objekteve fluturake të paidentifikuara, shkurtimisht UFO. Kjo është hera e parë në 50 vjet që Kongresi i kushton vëmendje kësaj çështje. Sidoqoftë, vëmendja është pëqëndruar tek kërcënimi që paraqesin këto objekte për sigurinë kombëtare, jo nga qënie të një bote tjetër, por nga kundërshtarë të mundshëm në Tokë.

Për herë të parë pas 50 vjetësh çështja e UFO-ve është rikthyer tek vëmendja e ligjvënësve amerikanë, të cilët thonë se përbën shqetësim për sigurinë kombëtare. Një zyrtar i lartë i mbrojtjes thotë se Pentagoni po përpiqet t’i kushtojë vëmendjen e duhur kësaj çështjeje ndërsa përballet me sfida.

“Çdo vëzhgim i regjistruar mund të jetë i shkurtër, ose më i gjatë. Mund të jetë i filmuar, ose mund të mos jetë. Mund të jetë i vëzhgueshëm nga një objektiv, ose shumë burime. Me pak fjalë, është e vështirë të kemi një shpjegim. Për shembull, videoja e parë, që po paraqes, tregon vëzhgimin në kohë reale”, tha Scott Bray, Zëvendësdrejtor i Zbulimit të Marinës amerikane.

Pamje të filmuara nga një avion luftarak amerikan tregojnë një objekt fluturues të paidentifikueshëm.

“Siç shihet, këto janë provat që kemi dhe në disa raste vëzhgimet janë akoma më të pakta”, tha zoti Bray.

Seanca vjen pothuajse një vit pasi një raport qeveritar dokumentoi më shumë se 140 raste të fenomeneve ajrore të paidentifikuara të vëzhguara nga pilotë të ushtrisë amerikane që nga viti 2004.

Çështja e jashtëtokësorëve është stigmatizuar prej shumë vitesh. Ronald Moultre, Nënsekretar i Mbrojtjes për çështjet e zbulimit, tha se Pentagoni po përpiqet t’i kushtojë vëmendjen e duhur çështjes së UFO-ve dhe të inkurajojë pilotët dhe personelin ushtarak, që të raportojnë çdo gjë të pazakontë që mund të shohin.

Seanca dëgjimore u përqendrua tek mundësia që kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara po zhvillojnë teknologji sekrete, që mund të interpretohet si UFO dhe përbëjnë rrezik për sigurinë e Shteteve të Bashkuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat