Dy vjet pas vdekjes së George Floyd SHBA-ja në një udhëkryq

Amerika

Dy vjet pas vdekjes së George Floyd SHBA-ja në një udhëkryq

Më: 26 maj 2022 Në ora: 09:44
Foto ilustrim

Dy vjet pas vdekjes së George Floyd nuk ka mbetur asgjë nga solidariteti mbarëkombëtar. Në fillim ishte shqetësimi i thellë, pastaj shpresa se gjërat do të ndryshojnë, ndërsa tani - harresa, mendon Ines Pohl.    

Nëntë minuta e 29 sekonda janë shndërruar në simbolin e racizmit sistematik në Shtetet e Bashkuara. Oficeri i policisë me ngjyrë të bardhë Derek Chauvin mbajti gjurin në qafën e George Floyd me gjithë peshën e tij plot nëntë minuta e 29 sekonda - derisa ai vdiq. Videoja e vrasjes së tij shkaktoi një valë protestash, jo vetëm në SHBA, por edhe në shumë vende të tjera.

Për disa muaj me radhë nëntë minuta e 29 sekonda simbolizonin edhe shpresën se Shtetet e Bashkuara më në fund do të luftojnë rrënjësisht dhunën policore kundër njerëzve me ngjyrë dhe të bëjnë reformën e vonuar policore, të domosdoshme prej kohësh.

Image
Foto ilustrim

As reforma e as ligje më të rrepta për mbajtjen e armëve 

Por dy vjet më pas nuk ka mbetur asgjë nga kjo shpresë. Nuk është bërë reforma në polici, nuk janë shtrënguar ligjet për armëmbajtje. Përkundrazi. Drejtimi në të cilin po shkon SHBA-ja nuk premton gjëra të mira. Jo vetëm në luftën kundër racizmit sistematik, por as për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe LGBTQ, mbrojtjen e përgjithshme të minoriteteve.

Rreziku për vendin është shumëdimensional dhe buron nga lart - nga Gjykata Supreme. Me gjithë dallimet politike dhe gjithë polarizimin që ka karakterizuar SHBA-në prej fillimit, gjyqtarët nuk i përgjigjen përkatësisë së tyre partiake por pavarësisë së gjykatave. Institucioni ka qenë gjithmonë para politikës. Por kjo ndryshoi me emërimet nga ish-presidenti Donald Trump. E kjo ka dhe përmasa dramatike, sepse gjyqtarët emërohen nga presidenti aktual për një mandat të pakufizuar, për tërë jetën.

Ndalimi i abortit është vetëm fillimi

Shprehja brutale e kësaj është shfuqizimi i pritshëm i të drejtës mbarëkombëtare të abortit, që ekziston që nga viti 1973. Këtu nuk bëhet fjalë për praktikë gjyqësore, por vetëm për një kalkulim politik. Ungjillorët shpërblehen me këtë ndalim të abortit, në mënyrë që të mbështesin fuqishëm anën e Partisë Republikane.

Image
Foto ilustrim

Ligjet janë të shkruara në atë mënyrë, që hapin mundësitë e shfuqizimit edhe të ligjeve të tjera liberale. Shumë kanë frikë se të drejtat e LGBTQ mund të preken dhe martesat e homoseksualëve mund të jenë në radhë. E gjithë kjo është e përfshirë në një fushatë që ngre pyetjen themelore se si Shtetet e Bashkuara synojnë ta përcaktojnë Amerikën në të ardhmen.

Lufta mes kulturave 

Do të ndalohen librat shkollorë që trajtojnë temën e racizmit. Prindërve do t'u merret e drejta për të mbështetur fëmijët e tyre në gjetjen e identitetit të tyre seksual, nëse një person nuk është heteroseksual. Nga jashtë duken këto të gjitha ndoshta si një çmenduri absurde e drejtuar nga shtetet federale të qeverisura nga konservatorët republikanë. Por nuk janë.

Image
Ines Pohl

E vërteta brutale është se forcat reaksionare kanë zënë vazhdimisht poste të rëndësishme në gjykata të ndryshme për dekada të tëra, në mënyrë që të fitojnë këtë luftë kulturore në sallat e gjyqit dhe të mos varen nga rezultatet e zgjedhjeve demokratike. Sepse shumica në vend tashmë jeton me vlera të ndryshme - dhe dëshiron të vazhdojë ta bëjë këtë në të ardhmen.

Infiltrimi në institucione 

Njerëzit që i janë kundërvënë këtyre zhvillimeve vitet e fundit janë lodhur e rraskapitur. Kanë humbur shpresat. As lëvizja e fortë Black Lives Matter nuk çoi në reformën e policisë pas vrasjes së George Floyd - kush ose çfarë mund ta bëjë atë?

Shtetet e Bashkuara janë në një udhëkryq të rëndësishëm. E pjesa tjetër e botës perëndimore duhet të përgatitet për infiltrimin nga brenda të këtyre forcave, në institucionet që do të duhej të mbronin vlerat që përfaqësonte dikur Amerika. Edhe më keq akoma - në institucione ato janë infiltruar tashmë në pjesë të mëdha./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat