Thatësirat në Amerikën perëndimore rrisin shqetësimin për furnizimin me ujë

Amerika

Thatësirat në Amerikën perëndimore rrisin shqetësimin për furnizimin me ujë

Më: 6 qershor 2022 Në ora: 20:10

Dy dekada thatësire në pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara kanë shkaktuar rënie rekord të nivelit të ujit në rezervuarin e dytë më të madh të vendit. Liqeni Powell, në jugperëndimin e thatë amerikan, rrezikon të bjerë shumë më poshtë se niveli në të cilin turbinat në digën e rezervuarit mund të jenë në gjendje prodhojnë energji elektrike që ndihmon në furnizimin e miliona shtëpive. Është pjesë e një gjendje të përkeqësuar të furnizimit me ujë në perëndimin amerikan të shaktuar nga ndryshimet klimatike.

Diga e Kanionit Glen të Arizonës prodhon energji elektrike për 5 milionë klientë në shtatë shtete. Por ky burim i energjisë elektrike të pastër dhe të rinovueshme është nën kërcënim. Nivelet e ujit janë jashtëzakonisht të ulëta pas më shumë se 20 vitesh thatësire.

"Thatësira zakonisht kapërcehet. Por, këtë herë nuk po ndodh. Ky është rezultat i ndryshimit të klimës", thotë Jennifer Gimbel nga Universiteti Shtetëror i Kolorados.

Rritja e temperaturave po rëndon problemin e thatësirës në Amerikën perëndimore. Kjo po pakëson burimin më të rëndësishëm të ujit në Perëndim, lumin Kolorado.

"Pa këtë furnizim të rregullt dhe të sigurt me ujë, pjesa perëndimore e Amerikës nuk do të ishte zhvilluar", thotë Michael Cohen nga Instituti i Paqësorit

Qytetet e mëdha si Las Vegasi, Los Anxhelosi dhe San Diego furnizohen me ujë të pijshëm nga lumi i Kolorados. Rreth 40 milionë njerëz furnizohen me ujë nga lumi i Kolorados.

Uji nga ky burim përdoret edhe për ujitjen e më shumë se 2 milionë hektarëve të tokës bujqësore.

"Është një motor ekonomik miliarda dollarësh, që po bëhet gjithnjë e më pak i sigurt. Ne menduam se ky do të ishte burim i sigurt uji, por kjo po ndryshon", thotë eksperti Michael Cohen.

Ekspertët kanë parashikuar se ndryshimi i klimës do të ndikonte mbi lumin e Kolorados.

"Ajo që ne nuk parashikuam ishte shpejtësia me të cilën do të binte niveli i ujit. Dhe tani këto janë kambanat e alarmit", thotë ekspertja Jennifer Gimbel.

Fermerët e Arizonës u pëballën për herë të parë me ndërprerje të furnizimit me ujë vitin e kaluar.

Rreth 70 për qind të ujit të lumit përdoret nga sektori i bujqësisë.

Fermerët janë nën presion nga qytetet në rritje që kërkojnë më shumë ujë. Është një burim fërkimi midis zonave urbane dhe atyre rurale.

"Qytetet po blejnë furnizimin me ujë të komuniteteve bujqësore duke thënë se ato po krijojnë më shumë vlerë ekonomike. Por kjo nuk sjell asnjë ndryshim për njerëzit që jetojnë në komunitetet rurale të cilave po u merret burimi kryesor i të ardhurave”, thotë zoti Cohen.

Shumë ferma po bëhen më efikase në përdorimin e ujit, duke ulur kërkesat e tyre për të.

Qytetet po përpiqen gjithashtu të përdorin ujin në mënyrë më efikase.

"Shumë qytete, pavarësisht rritjes së jashtëzakonshme ekonomike dhe të popullsisë, po përdorin më pak ujë se sa 20, 30 vjet më parë. Pra, ajo që ne po shohim në shumë prej këtyre qyteteve është kjo etikë e kursimit të ujit. Pra, ky ka qenë një ndryshim i madh", thotë zoti Cohen.

Por kjo nuk mjafton. Rezervat e ujit vazhdojnë të bien, ndërsa metereologët parashikojnë se edhe ky vit do të jetë i thatë.

Ndërsa ndryshimet klimatike thellohen dhe qytetet në Amerikën perëndimore vazhdojnë të rriten, ekspertët thonë se shumë shpejt nevojiten ndryshime edhe më të mëdha./VOA

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat