Trump trysni të vazhdueshme nënpresidentit për të kundështuar rezultatin e zgjedhjeve

Amerika

Trump trysni të vazhdueshme nënpresidentit për të kundështuar rezultatin e zgjedhjeve

Më: 17 qershor 2022 Në ora: 16:34
Donald Trump

Në ditën e tretë të seancave publike të komisionit hetimor të Kongresit mbi sulmin e 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit, ligjvënësit amerikanë akuzojnë ish Presidentin Donald Trump, se për disa javë ushtroi trysni ndaj nënpresidentit Mike Pence, për të përmbysur në mënyrë të jashtëligjshme rezultatet e zgjedheve presidenciale të vitit 2020. 

Hollësi të reja tregojnë se si më 6 janar 2021 u rrezikua jeta e Nënpresidentit Mike Pence, i cili ndodhej vetëm 12 metra larg protestuesve të dhunshëm, pasi refuzoi kërkesën e pabazë të ish-Presidentit Donald Trump për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020. 

Këshilltarët e zotit Pence treguan se si zoti Trump përhapi teorinë e rreme të avokatit konservator John Eastman, se një nënpresident mund të refuzojë, ose vonojë rezultatet e zgjedhjeve. 

"Për mua nuk kishte kuptim që megjithë mbrojtjen që Kushtetuta ofron për zgjedhjen e presidentit dhe hapat që duhen ndërmarrë, pushtetin për ta zgjedhur presidentin e ardhshëm ta kishte nënpresidenti”, thotë ish avokati i Shtëpisë së Bardhë, Eric Herschmann. 

Këshilltarët e zotit Pence i kishin thënë atij se ai nuk e kishte atë fuqi dhe e paralajmëruan për pasoja. 

“Shpallja e Donald Trumpit si president i ardhshëm do ta kishte zhytur Amerikën në atë që unë besoj se do të ishte e barabartë me një revolucion brenda një krize kushtetuese”, tha J. Michael Luttig, ish këshilltar i Nënpresidentit Mike Pence. 

Pothuajse të gjithë republikanët në Kogres e kanë quajtur hetimin e komisionit të 6 janarit si të paligjshëm, por anëtarja e komisionit Liz Cheney tha se zoti Trump e dinte se ajo që po bënte ishte gabim. 

“Trumpit iu tha vazhdimisht se Mike Pence nuk e kishte autoritetin kushtetues dhe ligjor për të bërë atë që ai kërkonte”, tha ligjvënësja republikane.

Ish këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë dëshmuan se zoti Pence i refuzoi kërkesat e zotit Trump në javët para çertifikimit të rezultateve zgjedhore më 6 janar. 

“Pavarësisht faktit se nënpresidenti i tha vazhdimisht presidentit se ai nuk e kishte dhe nuk mund ta kishte autoritetin për të vendosur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, Donald Trump vazhdoi trysninë mbi nënpresidentin, publikisht dhe privatisht”, tha ligjvënësi demokrat, Pete Aguilar. 

Trysnia kulmoi me një postim të zotit Trump në Twitter pasditen e 6 janarit, ku kritikoi zotin Pence, një veprim që hetuesit thonë se ndezi mbështetësit e presidentit dhe i nxiti ata të sulmojnë Kongresin. 

Protestuesit e dhunshëm nuk e gjetën zotin Pence, i cili këmbënguli të qëndronte në Kapitol për të çertifikuar fitoren e Joe Bidenit në zgjedhje. 

"Ai nuk donte të rrezikonte që bota të shihte nënpresidentin e Shteteve të Bashkuara duke ikur nga Kapitoli amerikan. Ai ishte i vendosur të përfundonte punën që kishim për atë ditë”, tha Greg Jacob, këshilltar i nënpresidentit Pence. 

Shtetet e Bashkuara ishin pranë një grusht shteti, thonë hetuesit, ndërsa një nga këshilltarët e zotit Pence bëri këtë paralajmërim për zotin Trump dhe mbështetësit e tij. 

“Ata mund të përpiqen të përbysin zgjedhjet e vitit 2024 në të njëjtën mënyrë siç u përpoqën të përbysnin zgjedhjet e vitit 2020, por duke u munduar të kenë sukses në atë që dështuan më 2020”, thotë zoti Luttig. 

Komisioni vazhdon punën javën që vjen me seanca dëgjimore publike, të martën dhe të enjten./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat