Senati, kompromis për një projekt-ligj kundër dhunës me armë

Amerika

Senati, kompromis për një projekt-ligj kundër dhunës me armë

Më: 22 qershor 2022 Në ora: 17:49
Senatori republikan nga Teksasi, John Cornyn duke folur me gazetarët në Senat mbi projekt-ligjin dypartiak kundër dhunës me armë-21 qershor 2022.

Dy negociatorët kryesorë të të dy palëve në Senat thanë se është arritur një marrëveshje të martën mbi një projekt-ligj dypartiak, kundër dhunës me armë, duke i hapur rrugën një votimi këtë javë për një masë të rëndësishme nga Kongresi në përgjigje të incidenteve me armë në Teksas dhe Nju Jork që tronditën vendin.

Nëntë ditë pasi negociatorët e Senatit ranë dakord në parim për një propozim dhe 29 vjet pasi Kongresi miratoi për herë të fundit një ligj mbi kufizimin e armëve, Senatorët Chris Murphy dhe John Cornyn u thanë gazetarëve se është arritur një marrëveshje përfundimtare mbi detajet e projekt-ligjit.

Projek-ligji do të ashpërsonte kontrollet e biografisë për blerësit e moshave më të reja të armëve, do të kërkonte më shumë kontrolle të biografisë nga shitësit dhe do të rriste gjobat për trafikantët e armëve. Projekt-ligji gjithashtu parashikon fonde për shtetet dhe komunitetet që synojnë përmirësimin e sigurisë në shkolla dhe për nismat e reja të trajtimit të problemeve të shëndetit mendor.

Duke zgjidhur dy pengesat përfundimtare që vonuan marrëveshjen që nga java e kaluar, projekt-ligji nuk do të lejojë të blejnë armë partnerët që bashkëjetojnë të pamartuar dhe që janë dënuar për dhunë në familje. Projekt-ligji parashikon ndarjen e fondeve për 19 shtete dhe kryeqytetin e vendit, që kanë në fuqi ligje paralajmëruese, të cilat e bëjnë më të lehtë konfiskimin e përkohshëm të armëve nga njerëzit e cilësuar si të rrezikshëm.

Ligjvënësit publikuan projekt-ligjin prej 80 faqesh të martën në mbrëmje. Ndihmësit vlerësuan se për financimin e tij do të duhen rreth 15 miliardë dollarë, që senatori Murphy tha se do të jetë pjesë e paketës ligjore.

Projekt-ligjit i mungojnë propozimet shumë më të rrepta të kërkuara nga presidenti Joe Biden dhe demokratët prej vitesh, por që janë kundërshtuar nga republikanët. Këto përfshijnë ndalimin e armëve luftarake sulmuese, rritjen e moshës minimale për blerjen e tyre, ndalimin e karikatorëve me kapacitet të lartë dhe kontrollet e biografisë për pothuajse të gjitha shitjet e armëve.

Megjithatë, nëse miratohet, marrëveshja e arritur në këtë vit zgjedhor, do të vinte në pah një ndryshim modest, por domethënës, për një çështje, për të cilën, kompromisi i fundit është arritur në kohën që Bill Clinton ishte president i vendit.

Për miratimin e projekt-ligjit nevojiten votat e të paktën 10 senatorëve republikanë, në Senatin e ndarë 50 me 50 mes demokratëve dhe republikanëve. Dhjetë senatorë republikanë u bashkuan me 10 demokratë në mbështetjen e tyre për projekt-ligjin dhe senatori republikan nga Teksasi, John Cornyn u tha gazetarëve se "Unë mendoj se do të ketë të paktën" 10 vota të republikanëve në mbështetje të këtij projekt-ligji./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat