Vendimi i Gjykatës së Lartë për abortin nxit nisjen e betejave të reja ligjore

Amerika

Vendimi i Gjykatës së Lartë për abortin nxit nisjen e betejave të reja ligjore

Më: 27 qershor 2022 Në ora: 21:13
Vendimi i Gjykatës së Lartë për abortin nxit nisjen e betejave të reja ligjore

Vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë për abortin, rrëzimi i rastit “Roe kundër Wade”, e ka zhvendosur betejën ligjore për abortin në gjykatat anembanë vendit, pasi kundërshtarët e të drejtës së abortit, u përpoqën të zbatonin me shpejtësi ligjet për ndalimin e abortit në shumë shtete, ndërsa pala tjetër po përpiqet ta ngadalësojë këtë.

Vendimi i Gjykatës së Lartë të premten për t'i dhënë fund mbrojtjes kushtetuese për abortin i hapi rrugën një vale të re konfliktesh gjyqësore nga të gjitha palët.

Shumë nga çështjet gjyqësore do të përqendrohen në ligjet e miratuara në 13 shtete, të cilat ishin parashikuar të hynin në fuqi menjëherë pas rrëzimit të rastit “Roe kundër Wade”. Në shënjestër të padive të reja mund të jenë edhe ligjet e vjetra kundër abortit, që mbetën të pazbatuara gjatë periudhës, që ishte në fuqi rasti “Roe kundër Wade”, dhe ligjet mbi kufizimin e abortit, që ishin pezulluar në pritje të vendimit të Gjykatës së Lartë.

"Ne do të kthehemi në gjykatë nesër dhe për aq kohë sa kjo të jetë e nevojshme", u tha gazetarëve në një video-konferencë të premten Nancy Northup, presidente e Qendrës për të Drejtat Riprodhuese, e cila ishte një prej avokateve që argumentoi para Gjykatës së Lartë gjatë gjatë procesit që rezultoi në rrëzimin e rastit “Roe kundër Wade”.

Të hënën, mbrojtësit e të drejtës së abortit i kërkuan një gjykatësi në Florida të bllokojë një ligj të ri shtetëror, i cili ndalon abortet pas javës së 15-të të shtatzënisë me disa përjashtime, dhe që do të hyjë në fuqi këtë javë. Aktivistët, që shpresojnë të shmangin një ndalim të abortit në Luiziana ngritën një padi duke argumentuar se ligjet e shtetit për ndalimin e abortit, janë të paqarta, sa i përket kohës se kur mund të hyjnë në fuqi, si dhe për rastet kur mund të ketë përjashtime.

Unioni Amerikan i Mbrojtes së të Drejtave Civile në Arizona dhe një grup i mbrojtes së të drejtave të abortit, paraqitën një mocion urgjent të shtunën duke kërkuar bllokimin e një ligji të vitit 2021 që ata shqetësohen se mund të përdoret për të ndaluar të gjitha abortet. Organizata e planifikimit familjar, “Planned Parenthood” në shtetin Juta ka sfiduar tashmë një ligj kundër abortit me përjashtime të vogla, i parashikuar të hyjë në fuqi menjëherë pas vendimit të fundit të Gjykatës së Lartë.

Brigitte Amiri, zëvendës drejtore për të drejtat e abortit në Unionin Amerikan për Mbrojtjen e të Drejtave Civile, tha se organizata po shqyrton "të gjitha opsionet" për të mbrojtur qasjen tek klinikat e abortit. Që nga e shtuna, shërbimet në klinikat e abortit janë ndëprerë në të paktën 11 shtete për shkak të ligjeve shtetërore ose paqartësive mbi zbatimin e tyre.

Por në disa raste, paditë mund të jenë thjeshtë një strategji për të fituar më shumë kohë. Edhe nëse gjykatat bllokojnë hyrjen në fuqi të disa ligjeve që ndalojnë ose kufizojnë abortin, ligjvënësit në shumë shtete konservatore mund të lëvizin me shpejtësi për t’i korrigjuar të metat e tyre.

Kjo pritet të ndodhë me një ligj të ndalimit të abortit në Luiziana. Prokurori i Përgjithshëm republikan i shtetit, Jeff Landry, tha në një postim në Twitter të premten, se të gjitha dispozitat ligjit për ndalimin e abortit janë parashikuar të hynin në fuqi menjëherë pasi rrëzimit të rastit Roe kundër Wade. Kështu që ato tashmë kanë hyrë në fuqi. Tre klinikat e vetme që ofronin procedura të abortit në këtë shtet u mbyllën në ditën kur u njoftua vendimi i Gjykatës së Lartë.

Edhe ligjet e reja kundër abortit ka të ngjarë të përballen me sfida. Në vend që të mbështeten në një mbrojtje kushtetuese në nivel federal, mbështetësit e të drejtave të abortit do të argumentojnë se kushtetutat e shteteve garantojnë të drejtën për abort.

Një gjykatës dëgjoi argumentet për një rast të tillë të hënën në Florida, ku avokatët kërkuan një vendim urgjent për të ndaluar hyrjen në fuqi të një ligji të ri të premten. Ligji i Floridës për ndalimin e abortit pas javës së 15-të të shtatzënisë përfshinë disa përjashtime, si në rastet kur rrezikohet jeta e gruas shtatzënë ,ose kur ka një anomali fatale. Dega e Unionit Amerikan për Mbrojtjen e të Drejtave Civile në Florida ka argumentuar se ligji shkel kushtetutën e shtetit.

Padi të tjera mund të ngriten edhe ndaj zbatimit të ligjeve të miratuara shumë kohë para se Gjykata e Lartë vendosi për herë të parë mbi rastin Roe kundër Wade në vitin 1973. Për shembull, Uiskonsini miratoi një ligj në vitin 1849 që ndalonte abortet, në përjashtim të rasteve kur ishin të nevojshme për të shpëtuar jetën e nënës. Prokurori i Përgjithshëm Josh Kaul, një demokrat, tha se ai nuk beson se ky ligj është i zbatueshëm. Kundërshtarët e abortit në Uiskonsin u kanë bërë thirrje ligjvënësve që të miratojnë një ligj të ri për ndalimin e abortit. Ndërkohë, dega e organizatës së planifikimit familjar, “Planned Parenthood” në Uiskonsin tha se kishte pezulluar menjëherë të gjitha shërbimet e abortit, megjithëse prokurorët në qarkun e Madisonit dhe atë të Miluokit kishin paralajmëruar se nuk do ta zbatonin ligjin e vjetër të ndalimit të abortit.

Në Miçigan, organizata “Planned Parenthood” ishte proaktive, duke sfiduar një ligj kundër abortit të vitit 1931 përpara se Gjykata e Lartë të nxirrte vendimin për rrëzimin e rastit Roe kundër Wade. Në maj, një gjykatës tha se ligji për ndalimin e abortit nuk mund të zbatohej sepse ai shkelte kushtetutën e shtetit. Mbështetësit e të drejtës së abortit tani po përpiqen të hedhin në votim një propozim për të shtuar një amandament në kushtetutën e shtetit për abortin dhe kontraceptivët në zgjedhjet e nëntorit.

Aktivistët dhe ekspertët presin gjithashtu të shohin beteja ligjore mbi përpjekjet e shteteve për të ndërmarrë veprime ligjore kundër njerëzve që kalojnë kufijtë shtetërorë për të bërë abort, ose për të mbrojtur njerëzit nga masa të tilla të mundshme.

Ajdaho, Oklahoma dhe Teksasi kanë miratuar ligje që lejojnë banorët e tyre të raportojnë personat që përpiqen të ndërpresin shtatzëninë. Meqë nuk është e qartë nëse kjo vlenë edhe për rastet kur gratë shtatzëna përpiqen të shkojnë jashtë shtetit për të kryer procedurat e abortit, disa shtete miratuan ligje për të ndaluar raportimet e këtyre rasteve.

Për shembull, Legjislatura e Kalifornisë, e kontrolluar nga demokratët, miratoi një projekt-ligj të enjten për të mbrojtur klinikat e abortit dhe vullnetarët në shtet nga paditë civile të imponuara nga shtetet e tjera. Në shtetin liberal të Masaçusetsit, guvernatori republikan Charlie Baker, nënshkroi një urdhër ekzekutiv të premten që ndalon agjencitë shtetërore të ndihmojnë hetimet e shteteve të tjera ndaj kujtdo që ofron shërbime shëndetësore të lidhura me ndëprerjen e shtatëzënisë, që janë të ligjshme në shtetin e Masaçusetsit.

“Do të ketë shumë paqartësi, lëvizje, dhe pacientët në të vërtetë do të jenë ata që do të mbajnë barrën kryesore të tyre. Do të ketë shumë paqartësi rreth asaj nëse njerëzit mund të kenë qasje në klinikat e abortit", thotë Brigitte Amiri, zëvendës drejtore për të drejtat e abortit në Unionin Amerikan për Mbrojten e të Drejtave Civile./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat