Ish-ndihmësja e Shtëpisë së Bardhë: Trump donte të shkonte drejt Kapitolit me mbështetësit e tij

Amerika

Ish-ndihmësja e Shtëpisë së Bardhë: Trump donte të shkonte drejt Kapitolit me mbështetësit e tij

Më: 29 qershor 2022 Në ora: 17:55
Cassidy Hutchinson

Dëshmia të martën në Komisionin që po heton sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol, e ish-ndihmëses së lartë të Shtëpisë së Bardhë Cassidy Hutchinson, zbuloi disa nga detajet më të rëndësishme të ofruara deri më sot lidhur me ngjarjen, si dhe përpjekjet e ish-presidentit për të mbajtur me pushtetin. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Katherine Gypson, zonja Hutchinson tha se ish-Presidenti Trump ishte përpjekur, por pa rezultat, t’i bashkohej turmës së mbështetësve të tij, që marshuan drejt Kapitolit dhe për këtë kishte patur një moment tensioni mes tij dhe një punonjësi të Shërbimit Sekret.

Prej disa javësh, në seancat dëgjimore publike në komisionin që po heton ngjarjet e 6 janarit të vitit 2021 në Kapitol, janë ngritur pretendime se përpjekjet e ish-Presidentit Donald Trump për të minuar demokracinë amerikane, çuan në sulmin e dhunshëm të asaj dite.

“Kjo ishte një fushatë trysnie shumëplanëshe, e drejtuar nga ish-presidenti, me synimin për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 dhe bllokuar transferimin e pushtetit. Ne kemi treguar se kjo përpjekje bazohej në një gënjeshtër, në gënjeshtrën se zgjedhjet u vodhën dhe u ndotën nga manipulimet në shkallë të gjerë. Gënjeshtra e madhe e Donald Trump-it", tha ligjvënësi demokrat Bennie Thompson.

Por nga një dëshmi e dhënë të martën u zbuluan disa nga detajet më të rëndësishme të ofruara deri më sot. Cassidy Hutchinson, një ish-ndihmëse e lartë e Shtëpisë së Bardhë, zyra e së cilës ndodhej vetëm disa hapa larg Zyrës Ovale (zyra e presidentit të SHBA-ve), tha se zoti Trump dhe këshilltarët e tij më të afërt, mes tyre shefi direkt i saj, Mark Meadows, me detyrën e shefit të Personelit në Shtëpinë e Bardhë, ishin në dijeni të mundësisë për dhunë.

“Gjërat mund të shkojnë shumë keq më 6 janar”, tha zonja Hutchinson para ligjvënësve të komisionit, duke dëshmuar se ish-Presidenti Trump ishte plotësisht në dijeni, se mbështetësit e tij ishin të armatosur dhe do të marshonin drejt Kapitolit.

“Dëgjova presidentin të thoshte diçka të tillë: Nuk më intereson fare që ata kanë armë. Ata nuk kanë ardhur këtu për të më bërë mua keq. Hiqeni atë dreq pajisje kontrolli (detektorë). Lërini njerëzit e mi të hyjnë dhe ata mund të marshojnë drejt Kapitolit prej këtej”, tha ajo.

Zoti Trump i ka kritikuar hetimet që po kryen komisioni dhe po kështu edhe aleatët e tij republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve, të cilët duke iu referuar dëshmisë së zonjës Hutchinson, thanë se ajo po përsëriste histori të thëna nga dikush tjetër. Por zonja Hutchinson, e cila rrezikon ndjekjen penale, nëse gënjen nën betim, dha hollësi nga dëshira e zotit Trump për të marshuar drejt Kapitolit me mbështetësit e tij, edhe pse juristi kryesor i Shtëpisë së Bardhë e kishte paralajmëruar se një gjë e tillë kishte gjasa të ishte e paligjshme.

"Zoti Cipollone tha diçka të tipit: Të lutem, Cassidy merr masa që askush të mos shkojë në Kapitol. Më njofto për çdo gjë. Nëse dikush shkon, do të akuzohemi për çdo shkelje të ligjit që mund të ta marrë mendja”.

Gjatë dëshmisë së saj zonja Hutchinson foli dhe rreth një momenti tensioni të krijuar brenda makinës presidenciale, mes një punonjësi të Shërbimit Sekret dhe ish-Presidentit Trump, pasi ky i fundit përfundoi fjalimin përpara mbështetësve të tij më 6 janar. Debatet, sipas zonjës Hutchinson, kulmuan me një përpjekje të zotit Trump për të kapur me forcë timonin e makinës presidenciale që drejtohej nga një punonjës i Shërbimit Sekret.

“Presidenti tha pak a shumë: ‘Unë jam presidenti. Më ço në Kapitol, urgjent’, por Bobby iu përgjigj: ‘Jo, ju duhet të ktheheni në Shtëpinë e Bardhë’. Presidenti më pas iu afrua pjesës së përparme të automjetit për të kapur timonin”.

Në një dëshmi të mëparshme zonja Hutchinson ka thënë se shumë ligjvënës republikanë i kërkuan Presidentit Trump, që në përfundim të mandatit, t’u jepte atyre falje presidenciale, duke i mbrojtur nga ndjekje të mundshme ligjore në të ardhmen, të shqetësuar mesa duket nga roli i tyre në minimin e procesit zgjedhor. Të martën, ajo zbuloi se edhe avokati i zotit Trump, Rudy Giuliani si dhe shefi i saj, Mark Meadows, kishin kërkuar gjithashtu falje presidenciale.

Pyetjes së ligjvënëses republikane Liz Cheney, nëse zoti Meadows ishte interesuar të siguronte një falje presidenciale lidhur me 6 janarin, zonja Hutchinson iu përgjigj:

"Po, zoti Meadows kërkoi falje presidenciale".

Vetë Komisioni i 6 janarit nuk mund të ngrejë akuza penale, por mund t’ia rekomandojë një gjë të tillë Departamentit të Drejtësisë. Ligjvënësit pritet të rifillojnë seancat dëgjimore publike në muajin korrik./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat