Gjykata e Lartë e SHBA-së kufizon objektivat e Bidenit për të ulur emetimet e CO2-it

Amerika

Gjykata e Lartë e SHBA-së kufizon objektivat e Bidenit për të ulur emetimet e CO2-it

Më: 30 qershor 2022 Në ora: 17:56
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden gjatë një takimi në Konferencën COP26 të OKB-së për Ndryshimet Klimatike në Glasgow, Skoci, më 1 nëntor 2021.

Gjykata e Lartë e SHBA-së vendosi të enjten se qeveria federale nuk kishte autoritet të gjerë për të rregulluar emetimet e gazrave serrë nga termocentralet. Vendimi përbën një goditje për administratën e Presidentit Joe Biden, Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit (AMM) e të cilit u përpoq të frenonte ndryshimet klimatike.

Çështja kundër AMM u ngrit nga shteti i Virxhinias në emër të 18 shteteve të tjera kryesisht të udhëhequra nga republikanët dhe disa prej kompanive më të mëdha të qymyrit në vend.

Ata po diskutonin nëse Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit (AMM) ka fuqinë për të rregulluar emetimet e ngrohjes së planetit për sektorët e energjisë në mbarë shtetin ose thjesht termocentralet individuale.

Këto 19 shtete ishin të shqetësuar se sektorët e tyre të energjisë do të detyroheshin të largoheshin nga përdorimi i qymyrit.

Gjykata e Lartë në SHBA nuk e ka penguar plotësisht Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit që të vendosë rregulla në të ardhmen - por thotë se Kongresi duhet të thotë qartë se e autorizon këtë fuqi. Dhe deri më tani, Kongresi ka refuzuar më parë programet e propozuara të AMM për kufizimin e emetimeve të karbonit.

Aktivistët mjedisorë do të jenë thellësisht të shqetësuar nga rezultati pasi historikisht 19 shtetet kanë bërë pak përparim në reduktimin e emetimeve të tyre - gjë që është e nevojshme për të kufizuar ndryshimin e klimës.

Shtetet përbëjnë 44 për qind të emetimeve në SHBA në vitin 2018-të, dhe që nga viti 2000 kanë arritur vetëm një reduktim prej 7 për qind të emetimeve të tyre.

Kjo do të thotë se Presidenti Biden tani po mbështetet në një ndryshim të politikës nga këto shtete ose në një ndryshim nga Kongresi - përndryshe SHBA-ja nuk ka gjasa të arrijë objektivat e saj klimatike.

Kjo është një humbje për presidentin amerikan që erdhi në detyrë me zotimin për të rritur përpjekjet e SHBA-së për mjedisin dhe klimën.

Në ditën e tij të parë në detyrë, ai e riktheu SHBA-në në Marrëveshjen e Parisit - marrëveshja e parë ligjërisht e detyrueshme universale për objektivat e ndryshimeve klimatike - dhe e angazhoi vendin të reduktonte emetimet e gazrave serrë me 52 për qind deri në vitin 2030-të kundrejt niveleve të 2005-ës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat