Nju Jorku ndalon armëmbajtjen në shumë vende publike

Amerika

Nju Jorku ndalon armëmbajtjen në shumë vende publike

Më: 2 korrik 2022 Në ora: 20:57
Foto ilustrim

Shteti i Nju Jorkut miratoi një ligj të premten që ndalon armët në shumë vende publike, duke përfshirë sheshin “Times Square”, dhe kërkon nga aplikantët për licencë të armëmbajtjes të ofrojnë prova mbi aftësinë e tyre për ta përdorur armën dhe të dorëzojnë llogaritë e tyre të mediave sociale për shqyrtim nga zyrtarët qeveritarë.

Ligji, i miratuar në një seancë legjislative urgjente, u nxit nga një vendim i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara javën e kaluar që rrëzoi ligjet kufizuese të Nju Jorkut për marrjen e licencës për armë. Shumica konservatore e gjykatës vendosi për herë të parë që Kushtetuta amerikane i jep një individi të drejtën për të mbajtur armë në publik për vetëmbrojtje.

Udhëheqësit demokratë të Nju Jorkut e dënuan vendimin e gjykatës, duke thënë se do të ketë më shumë dhunë me armë nëse më shumë njerëz do të mbanin armë në publik.

Ata e pranuan se duhet të lehtësojnë disa nga kushtet ligjit mbi 100 vjeçar të dhënies së lejes për armëmbajtje për të respektuar vendimin e Gjykatës së Lartë, por u përpoqën të mbanin në fuqi një numër sa më të madh kufizimesh në emër të mbrojtjes së sigurisë publike. Disa prej tyre ka të ngjarë të jenë në shënjestër të sfida të mëtejshme ligjore.

Gjykata vendosi se regjimi i mëparshëm i licencave në shtetin e Nju Jorkut, i cili daton nga viti 1911, u jepte shumë liri autoriteteve për të refuzuar lejet e armëmbajtjes.

Guvernatorja demokrate e Nju Jorkut, Kathy Hochul, e cila thirri seancën e jashtëzakonshme të legjislaturës, tha se rregulloret e shtetit për licencimin e armëve kanë ndihmuar që Nju Jorku të ketë shkallën e pestë më të ulët të vdekjeve nga armët në mesin e 50 shteteve amerikane.

"Shteti ynë do të vazhdojë t'i mbajë njujorkezët të sigurt, pavarësisht nga pengesa që solli vendimi i Gjykatës së Lartë", tha ajo në një konferencë shtypi në kryeqytetin e shtetit, Albany, ndërsa ligjvënësit po debatonin mbi projektligjin.

Vendimi i gjykatës e pranon që njerëzit mund të mos lejohen të mbajnë armë në disa "zona të ndjeshme", por paralajmëroi ligjvënësit kundër aplikimit në shkallë të gjerë të këtij rregulli.

Ligji i miratuar të premten e bën krim të rëndë mbajtjen e armës në një listë të re vendesh të ndjeshme, duke përfshirë: ndërtesat qeveritare, objektet mjekësore, ato fetare, bibliotekat, parqet, kopshtet zoologjike, shkollat, kolegjet, kampet verore, qendrat për të pastrehët, shtëpitë e azilit, transporti publik, duke përfshirë metronë e qytetit të Nju Jorkut, vendet ku konsumohet alkool ose marjuana, muzetë, teatrot, stadiumet, qendrat e votimit dhe sheshin “Times Square”./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat