Arrestohet një i dyshuar për të shtënat në SHBA

Amerika

Arrestohet një i dyshuar për të shtënat në SHBA

Më: 5 korrik 2022 Në ora: 07:57
Veturat e policisë shihen pranë vendit ku ndodhën të shtënat më 4 korrik në Çikago të Shteteve të Bashkuara.

Policia amerikane ka arrestuar një të dyshuar për të shtënat masive më 4 korrik, ku mbetën të vdekur gjashtë persona gjatë Paradës së Pavarësisë të mbajtur në Parkun Highland, në periferi të Çikagos.

Sulmuesi kishte hipur në një çati dhe kishte qëlluar me një pushkë në drejtim të qytetarëve që kishin dalë për të festuar Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

Por, pas një ndjekjeje të shkurtër me veturë, Robert Crimo, 22 vjeç, u arrestua “pa asnjë incident”, tha shefi i policës, Lou Jogmen.

Ai iu referua të arrestuarit si “person me interes” në të shtënat, por pas arrestimit policia tha se besonte se Crimo ishte përgjegjës.

Zyrtarët e emergjencave thanë se dhjetëra persona, përfshirë edhe fëmijë, janë trajtuar në spital për lëndime me armë zjarri dhe disa prej të plagosurve janë në gjendje kritike.

Parada nisi në orën 10:00 sipas kohës lokale dhe u ndërpre 10 minuta pasi nisën të dëgjoheshin të shtëna.

Më pas qindra persona – disa të gjakosur – u panë duke u larguar nga parada.

SHBA-ja viteve të fundit vazhdimisht po përballet me të shtëna masive.

Në një sulm më 24 maj, 19 nxënës dhe dy mësues u vranë në një shkollë fillore në Uvalde të Teksasit. Kjo ngjarje kishte ndodhur vetëm dhjetë ditë pas të shtënave në një dyqan ushqimor në Bufallo të Nju Jorkut, ku u vranë dhjetë persona./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat