Uvalde, kërkohet shkarkimi i shefit të policisë

Amerika

Uvalde, kërkohet shkarkimi i shefit të policisë

Më: 20 korrik 2022 Në ora: 22:14
Pete Arredondo është akuzuar nga zyrtarët e shtetit se bëri disa gabime të mëdha gjatë sulmit me armë të 24 majit në shkollën fillore Robb

 Të përballur me një trysni masive publike, zyrtari më i lartë i shkollave në Uvalde ka rekomanduar shkarkimin e shefit të policisë së distriktit shkollor, i cili ishte në epiqendër të një reagimi të dështuar ndaj sulmit me armë në një shkollë fillore të qytetit dy muaj më parë, kur u vranë dy mësues dhe 19 nxënës.

Bordi i shkollave i qytetit që shtrihet në pjesën jugore të Teksasit njoftoi gjatë një takimi të posaçëm të mërkurën se do të shqyrtojë shkarkimin e Shefit të Policisë, Pete Arredondo. Ai është akuzuar nga zyrtarët e shtetit se bëri disa gabime të mëdha gjatë sulmit me armë të 24 majit në shkollën fillore Robb.

Zyrtarët e shkollës i kanë rezistuar më parë thirrjeve për të shkarkuar zotin Arredondo. Njoftimi vjen dy ditë pas një takimi ku anëtarët e bordit të shkollës u kritikuan ashpër për më shumë se tre orë nga pjesëtarë të publikut, të cilët i akuzuan për moszbatim të normave bazë të sigurisë në shkollën Robb, për mungesë transparence mbi atë që ndodhi si dhe për mosmbajtjen përgjegjës të zotit Arredondo për veprimet e tij.

I përballur me kërkesat e forta të prindërve për të shkarkuar zotin Arredondo dhe paralajmërimet se rrezikohet edhe vetë vendi i tij i punës, drejtori i arsimit Hal Harrell tha të hënën se shefi i policisë ishte një punonjës me kontratë që nuk mund të pushohej sipas dëshirës.

Rendi i ditës për mbledhjen që bordi do të zhvillojë të shtunën përfshin tashmë diskutimin me avokatin e tij për një shkarkim të mundshëm.

Image
Prindërit duke protestuar gjatë takimit të bordit të shkollave (Uvalde, 18 qershor 2022)

Shefi i policisë Arredondo, i cili ka qenë me leje të detyruar që nga 22 qershori, është përballur me kritika të ashpra që kur ndodhi masakra, veçanërisht pasi nuk urdhëroi oficerët që të hynin menjëherë në klasën ku 18-vjeçari i armatosur po kryente sulmin. Nëse shkarkohet nga detyra, zoti Arredondo do të bëhej oficeri i parë i larguar nga vendi i punës pas një sulmi me armë që ka shkaktuar numrin më të madh të viktimave në historinë e shkollave të shtetit Teksas.

Rreth 400 oficerë nga agjenci të ndryshme u përfshinë në operacionin kundër sulmuesit të armatosur dhe policisë iu desh më shumë se një orë për t'u përballur me sulmuesin dhe për ta vrarë atë. Zoti Arredondo është një nga vetëm dy oficerë ndaj të cilëve dihet se janë vendosur masa disiplinore. Avokati i tij nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.

Lëvizja për shkarkimin e mundshëm të shefit të policisë pason publikimin e një raporti shumë kritik prej 80 faqesh nga një komision i Dhomës së Përfaqësuesve të Teksasit që fajësoi të gjitha nivelet e zbatimit të ligjit për një përgjigje të ngadaltë dhe kaotike. Raporti konstatoi se 376 oficerë të zbatimit të ligjit u grumbulluan në shkollë, me më shumë se gjysma e tyre që vinin nga agjencitë shtetërore dhe federale, por ata “nuk arritën t'i përmbaheshin trajnimit të tyre për rastet kur sulmuesi vijonte të ishte aktiv dhe nuk arritën t’i jepnin përparësi shpëtimit të jetëve të pafajshme mbi sigurinë e tyre”.

Sipas komisionit, zoti Arredondo u tha ligjvënësve se nuk e konsideronte veten njeriun përgjegjës në vendngjarje dhe se prioriteti i tij ishte të mbronte fëmijët në klasat e tjera. Raporti i komisionit e quajti atë vendim një "gabim të tmerrshëm, tragjik".

Pamjet e kamerave të instaluara në trupat e policëve, të publikuara nga zyrtarët e Uvaldet tregojnë zotin Arredondo në korridor duke provuar disa grupe çelësash në dyert e klasave të tjera, por jo tek ajo ku ndodhi masakra. Dera e klasës nuk mund të mbyllej nga brenda, por nuk ka asnjë tregues se oficerët u përpoqën të hapnin derën, ndërsa personi i armatosur gjendej brenda.

"Ajo që ne menduam ishte: ‘Nëse ai del, eliminojmë kërcënimin’, apo jo?" i tha zoti Arredondo komisionit, sipas raportit. “Dhe vetëm duke menduar për fëmijët e tjerë që ishin në klasat e tjera, mendova: ‘Nuk mund ta lëmë të dalë jashtë. Nëse ai del, ne e eliminojmë”.

Image
Pamje nga sulmi

Zoti Arredondo, 50 vjeç, është rritur në Uvalde dhe ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij gati 30-vjeçare si pjesë e strukturave të zbatimit të ligjit në këtë qytet. Ai mori detyrën e kreut të policisë në distriktin shkollor në vitin 2020 dhe bëri betimin si anëtar i Këshillit Bashkiak në një ceremoni me dyer të mbyllura më 31 maj. Ai dha dorëheqjen nga vendi i tij në këshill më 2 korrik./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat