SHBA, përdorimi i teknologjisë për parandalimin e sulmeve me armë

Amerika

SHBA, përdorimi i teknologjisë për parandalimin e sulmeve me armë

Më: 8 gusht 2022 Në ora: 19:21
ZeroEyes

Ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po regjistrohet një numër i lartë viktimash si pasojë e dhunës me armë zjarri, disa kompani teknologjie kanë krijuar programe, që zbulojnë personat e armatosur. 

Dhuna me armë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka marrë përmasa epidemike. 

Ndërsa vendi është i ndarë në lidhje me të drejtat për mbajtjen e armëve si dhe ligjet për kontrollin e tyre, ngjarjet e fundit, si sulmi në shkollë, ai në një supermarket dhe sulmi gjatë një parade për 4 korrikun, ka bërë që disa kompani, përmes teknologjisë, të krijojnë mënyra se si të ulin numrin e viktimave. 

“Nisa të punoja pas të shtënave që ndodhën në shkollën e vajzës sime. Shkolla nisi të punonte për të rritur sigurinë. Kur vajza u kthye në shtëpi ishte shumë e mërzitur dhe unë thashë: Mjaft, duhet bërë diçka”, thotë Mike Lahiff, Drejtues i kompanisë “ZeroEyes”. 

Zoti Lahiff tregon se si i lindi ideja. 

“Po studioja teknologjinë e njohjes së fytyrës dhe më pas pyeta: Po sikur të përdorim kamerat ekzistuese të sigurisë së një godine për të zbuluar armët?”, thotë zoti Lahiff. 

Kompania e tij “ZeroEyes”, zhvilloi programe për zbulimin e armëve, duke përdorur inteligjencën artificiale për të analizuar të dhënat nga kamerat ekzistuese të sigurisë së një godine, të cilat mund të zbulojnë kur një individ është i armatosur. 

“Programi dërgon një alarm në qendrën e kompanisë sonë, ku ka punonjës 24 orë në ditë, gjatë gjithë vitit. Më pas punonjësit studiojnë nëse vërtet individi ka një armë. Dhe nëse ata shikojnë se dikush është i armatosur ne i dërgojmë një njoftim klientit tonë si dhe njëkohësisht njoftojmë policinë”, thotë zoti Lahiff. 

Pra kompania ka një fotografi të sulmuesit, llojin e armës që ai ka, si dhe ku ndodhet. 

“Kjo metodë është shumë kritike në këto situata për të ulur kohën e përgjigjes”, thotë drejtues i kompanisë “ZeroEyes”. 

Një shkollë në Nju Xhersi ishte e para që kërkoi të provonte këtë program, për sigurinë e nxënësve të saj. 

“Fillimisht ne kryem një provë për këtë teknologji dhe aty mësuam vërtet për vlerën e kësaj teknologjie”, thotë Christopher Heilig, përgjegjës për sigurinë në shkollë. 

Gjatë provës që bëri shkolla, duke përdorur teknologjinë e kompanisë “ZeroEyes” personi i armatosur u kap nga policia pas 90 sekondash. 

“Në këto situata, gjithçka ka të bëjë me reagimin sa më shpejt, gjë që minimizon viktimat”, thotë Christopher Heilig, përgjegjës për sigurinë në shkollë. 

Kompania “Evolv Technology” po ashtu ka krijuar disa skanera që përdoren për ambiente të mëdha publike, dhe duke përdorur disa sensorë si dhe teknologji të tjera mund të zbulojnë nëse një person është i armatosur. 

“Ne përdorim teknologji të avancuar si inteligjenca artificiale për të gjetur dhe për të dalluar një telefon celular nga një armë zjarri, për shembull. Ne mund të shikojmë gjërat që zakonisht ju mbani me vete dhe nëse keni diçka që përbën kërcënim real”,thotë Peter George, Drejtues i kompanisë “Evolv Technology”. 

Në Shtetet e Bashkuara gjatë këtij viti janë regjistruar më shumë se 300 sulme të përgjakshme, që kanë shkaktuar një numër të lartë viktimash. 

Ndërsa këto teknologji nuk mund të garantojnë parandalimin e sulmeve, ato mund të mbajnë të sigurta hapësirat publike./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat