Nju Jorku nuk ka më vend për emigrantët; shqyrton mundësinë e tendave

Amerika

Nju Jorku nuk ka më vend për emigrantët; shqyrton mundësinë e tendave

Më: 24 shtator 2022 Në ora: 06:07
Emigrantët në qendrat e pritjes në Nju Jork

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut tha se synon ngritjen e tendave të mëdha me përmasa hangarësh, për të strehuar përkohësisht emigrantët që po sillen me autobuzë në këtë qytet, në kuadrin e një fushate nga guvernatorët republikanë për të ndryshuar politikat federale të emigracionit.

Tendat janë disa nga opsionet, ku variojnë që nga anijet kruaziera dhe deri tek kampet verore, që po shqyrtohen nga qyteti i gjendur në vështirësi për të strehuar 13 mijë emigrantë që janë dërguar në Nju Jork me autobuzë nga qytetet kufitare të Teksasit dhe Arizonas.

“Kjo nuk është një krizë strehimi e zakonshme, por një krizë humanitare që kërkon një përqasje tjetër”, tha në një deklaratë të enjten kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams.

Sistemi masiv i strehëzave të qytetit të Nju Jorkut është mbingarkuar me akomodimin e prurjeve të papritura të emigrantëve që kërkojnë azil në Shtetet e Bashkuara.

Në Arizona dhe Teksas, zyrtarët i kanë hipur njerëzit në autobuzë për udhëtime falas drejt Uashingtonit dhe qytetit të Nju Jorkut. Më rishtazi shteti Florida, guvernatori i së cilës është republikan dhe po rikandidon në zgjedhje, përdori fonde publike për të dërguar me avion emigrantët në shtetin Masaçusets, në Martha’s Vineyard.

Kryebashkiaku Adams tha se qyteti i Nju Jorkut ka hapur 23 qendra emergjence dhe po shqyrton hapjen e 38 të tjerave, për të strehuar njerëzit e sjellë në qytet që nga muaji maj. Qyteti çeli rishtazi edhe një qendër të re përpunimi me kosto prej disa milionë dollarësh, për të ndihmuar të sapoardhurit që të rivendosen me shpejtësi.

Një paraqitje grafike e projektit të tentave, të qarkulluar nga qyteti, tregon radhë të tëra shtretërish. Teorikisht, tenda do të jetë me ngrohje, pasi netët në Nju Jork mund të jenë të ftohta, por qyteti nuk ka dhënë detaje të mëtejshme.

Aktivistët për të pastrehët nuk ishin të sigurtë se si duhet të reagonin.

“Thjesht nuk kemi detaje të mjaftueshme për planin e tyre që të krijojmë një opinion", tha Josh Goldfein, jurist me Shoqërinë e Ndihmës Ligjore. "Nëse qëllimi këtu është që të vlerësojnë me shpejtësi nevojat e njerëzve dhe që t'i lidhin ata me shërbimet që do t'i ndihmojnë, atëherë kjo do të jetë shumë mirë".

Por ai tha se propozimi duhet ende të zbatohet.

"Gjithçka që dimë është një vendndodhje dhe një fotografi e një tende të madhe," tha ai.

Në një deklaratë të përbashkët, Shoqata e Ndihmës Juridike dhe Koalicioni për të Pastrehët thanë se po punonin me zyrtarët e qytetit për të gjetur "një zgjidhje të zbatueshme që përmbush detyrimin ligjor dhe moral të Nju Jorkut për të ofruar strehim të sigurt dhe të përshtatshëm për të gjithë ata që e kërkojnë atë, përfshirë edhe azilkërkuesit”.

Në fillim të këtij muaji, kryebashkiaku Adams kishte sugjeruar strehimin e qindra emigrantëve në anijet turistike.

Kritikët dolën kundër kësaj ideje, duke thënë se ai duhet të ofrojë zgjidhje më të qëndrueshme për një problem që ka munduar prej kohësh qytetin: Si të gjendet strehim i përhershëm për të pastrehët e qytetit – jo vetëm emigrantët e rinj, por për popullsinë e konsiderueshme të të pastrehëve.

Në përgjithësi, numri i njerëzve që qëndronin çdo natë në strehimoret e të pastrehëve të qytetit të Nju Jorkut kishte rënë vitet e fundit, pjesërisht për shkak të pandemisë COVID-19. Kjo bëri që zyrtarët e qytetit të zvogëlojnë kapacitetin e strehimoreve, duke e lënë sistemin të papërgatitur për shtimin e papritur të njerëzve që kanë nevojë për ndihmë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat