Karolina e Veriut dhe Jugut në alarm nga uragani Ian

Amerika

Karolina e Veriut dhe Jugut në alarm nga uragani Ian

Më: 30 shtator 2022 Në ora: 19:35
Foto ilustrim

Uragani Ian, i cili ka arritur të forcohet sërish, i është drejtuar tashmë Karolinës së Jugut dhe qytetit historik të tij 350 vjeçar, Çarlston.

Ekspertët parashikojnë stuhi e përmbytje pas dëmeve katastrofike që shkaktoi stuhia e fuqishme në Florida, duke bllokuar me mijëra njerëz brenda shtëpive të përmbytura.

Autoritetet kanë dhënë alarmin për të gjithë bregun e Karolinës së Jugut dhe atë të Veriut. Rradhë të gjata makinash u panë të enjten tek largoheshin nga Çarlestoni dhe të premten ai u gdhi kryesisht bosh, i goditur nga erëra të fuqishme e reshje shiu.

Shpejtësia mesatare e erërave sot llogaritet në rreth 140 kilometra në orë. Qendra Kombëtare e Uraganëve njoftoi për një "stuhi kërcënuese për jetën" përgjatë zonës bregdetare të Karolinës së Jugut dhe të Veriut.

Në Florida, grupet e shpëtimit po vijojnë me përpjekjet për të shpëtuar banorët e bllokuar nga përmbytjet.

Guvernatori i Floridës Ron DeSantis tha se të enjten ishin shpëtuar të paktën 700 vetë, kryesisht nga ajri. Në operacione u përfshi Roja Bregdetare, Garda Kombëtare dhe ekipet e kërkim-shpëtimit.

Uragani Ian goditi bregun e Gjirit të Floridës të mërkurën, si një stuhi e fuqishme e kategorisë 4, një nga stuhitë më të forta që ka goditur ndonjëherë SHBA-në me një shpejtësi mesatare të erës prej 241 kilometrash në orë. Ai përmbyti shtëpi në të dy brigjet e shtetit dhe la pa energji elektrike 2.6 milionë shtëpi e biznese, që përbëjnë një të katërtën e klientëve në këtë shtet.

Të paktën gjashtë persona janë konfirmuar të vdekur në Florida.

Sipas një studimi të përgatitur menjëherë pasi stuhia goditi tokën, ndryshimet klimatike kanë bërë që uragani të sjellë me vete të paktën 10% më shumë shi./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat