Mediat njoftojnë largimin pas 7 shkurtit të shefit të Kabinetit të Shtëpisë së Bardhë

Amerika

Mediat njoftojnë largimin pas 7 shkurtit të shefit të Kabinetit të Shtëpisë së Bardhë

Më: 21 janar 2023 Në ora: 22:17
Ron Klain

Ron Klain, i cili shërben si shef i kabinetit i Presidentit Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë, planifikon të largohet nga detyra në javët e ardhshme. Lajmi u bë i ditur për mediat amerikane të shtunën, nga burime në dijeni të kësaj çështjeje.

Zoti Klain ka informuar Presidentin Biden mbi planet e tij, thanë të njëjtat burime, duke konfirmuar edhe një artikull të gazetës 'New York Times' që konfirmonte largimin e tij pas fjalimit të presidentit mbi gjendjen e vendit, që mbahet më 7 shkurt.

Gjashtëdhjetë e një vjeçari Ron Klain ka një histori të gjatë pune në Shtëpinë e Bardhë. Ai ka shërbyer edhe si shef i kabinetit i ish-nënpresidentit Al Gore dhe zotit Biden, kur ky i fundit shërbente si nënpresident gjatë administratës Obama.

Largimi i tij vjen ndërsa Presidenti Biden përgatitet të shpallë ambiciet e tij për të kërkuar një mandat të dytë katërvjeçar në vitin 2024, njoftim që pritet ta bëjë pas fjalimit të tij në Kongres, mbi gjendjen e kombit.

Gazeta 'New York Times" citonte një listë të gjatë që mund të zëvendësojnë zotit Klain në detyrë, si sekretari i Punës Marty Walsh; ish-guvernatori i Dellauerit Jack Markell; këshilltarja e lartë e zotit Biden, Anita Dunn, këshilltari i presidentit, Steve Richetti, ish-koordinatori për Çështje të Pandemisë Jeff Zients, këshilltarja për politikën e Brendshme Susan Rice, si dhe sekretari për Bujqësinë Tom Vilsack.

Lajmi i largimit të zotit Klain bëhet publik ndërsa presidenti Biden ndodhet për të kaluar fundjavën në shtëpinë e tij në Rehoboth Beach të Dellauerit./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat