Komisioni i Senatit: “Credit Suisse” shkeli marrëveshjen me SHBA-të për evazionin fiskal

Amerika

Komisioni i Senatit: “Credit Suisse” shkeli marrëveshjen me SHBA-të për evazionin fiskal

Më: 29 mars 2023 Në ora: 23:41
“Credit Suisse”

Banka “Credit Suisse” ka shkelur një marrëveshje të vitit 2014 me autoritetet amerikane, duke vazhduar të ndihmojë amerikanët më të pasur që të shmangin taksat dhe duke fshehur më shumë se 700 milionë dollarë nga qeveria, njoftoi të mërkurën Komisioni i Senatit amerikan për Financat.

Pas përfundimit të një hetimi dy-vjeçar ndaj bankës “Credit Suisse”, e cila ra dakord këtë muaj të blihej për shkak të problemeve financiare nga banka rivale UBS, komisioni thotë se kishte zbuluar “shkelje të mëdha” të marrëveshjes së vitit 2014 midis bankës zviceriane dhe Departamentit amerikan të Drejtësisë, duke mundësuar evazionin fiskal.

Pronarja e re, banka UBS ose qeveria zviceriane duhet të marrin përgjegjësitë për çdo gjobë në të ardhmen, thotë komisioni, duke i bërë thirrje agjencisë amerikane të taksave (IRS) dhe Departamentit të Drejtësisë që të zhvillojnë hetime nëse banka “Credit Suisse” duhet të përballet me pasoja të tjera.

Mes shkeljeve është edhe dështimi për të raportuar afro 100 milionë dollarë në llogari sekrete guaska, që i përkasin një familje të vetme me shtetësi të dyfishtë amerikane dhe të një shteti në Amerikën Latine, për të cilën thotë se mund të jetë aktivitet me përmbajte kriminale.

Në një deklaratë të dërguar me email, banka “Credit Suisse” thotë se nuk e kishte toleruar evazionin fiskal dhe kishte bashkëpunuar me autoritetet amerikane.

“Ekipi i ri drejtues i (bankës) Credit Suisse ka bashkëpunuar në hetimet e komisionit dhe ka mbështetur punën e Senatorit Wyden, përfshirë politikat e sugjeruara për të ndihmuar në forcimin e aftësive të industrisë financiare për të zbuluar amerikanët që përpiqen të fshehin veprimtaritë e tyre”, thuhet në deklaratën e bankës e cila i referohet kryetarit të Komisionit të Senatit për Financat, Ron Wyden.

Senatori Wyden tha përmes një deklarate se: “Në qendër të këtij hetimi janë bankierë të pangopur zviceranë dhe rregullatorë qeveritarë të përgjumur. Rezultati duket të jetë një komplot masiv, i vazhdueshëm, për të ndihmuar qytetarët amerikanë shumë të pasur që të shmangin taksat dhe të grabisin amerikanët e tjerë”.

Departamenti i Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për të komentuar.

Në vitin 2014 “Credit Suisse” u bë banka më e madhe në 20 vjet që u deklarua fajtore ndaj një akuze penale amerikane, duke rënë dakord të paguante një gjobë prej 2.5 miliardë dollarësh. Banka u akuzua se për disa dekada kishte ndihmuar shtetas amerikanë që të shmangin taksat përmes veprimtarive të paligjshme. Gjoba u pasua me një varg skandalesh që tronditën huadhënësin e dytë më të madh të Zvicrës dhe më pas kontribuan në blerjen e saj nga banka UBS.

Vitin e kaluar banka u deklarua fajtore për mashtrimin e investitorëve lidhur me një kredi prej 850 milionë dollarësh për Mozambikun dhe në qershor banka u dënua nga Gjykata Penale Federale e Zvicrës për dështimin në parandalimin e pastrimit të parave nga një bandë bullgare e trafikut të kokainës.

Më herët këtë muaj autoritetet zvicerane u përpoqën të menjanon falimentimin e bankës “Credit Sussie” ndërsa ajo u ble nga banka rivale UBS.

Familja që anashkaloi taksat

Sipas komisionit të Senatit amerikan, bankierët e “Credit Suisse” ndihmuan një familje me shtetësi amerikane dhe nga një shtet i Amerikës Latine, të cilën e quajtën “Familja” që të fshehin afro 100 milionë dollarë nga agjencia amerikane e taksave (IRS) duke mundësuar fshehjen e veprimtarisë së saj për pothuajse një dekadë.

Bankierët maskuan faktin se anëtarët e familjes kishin nënshtetësi amerikane dhe më pas kur mbyllën llogaritë në vitin 2013, ata transferuan fondet në banka të tjera në Zvicër dhe gjetkë pa njoftuar Departamentin e Drejtësisë, siç kërkohet nga marrëveshja e vitit 2014 kur banka pranoi fajësinë.

Ish-kreu i bankës “Credit Suisse” për bankat private në Amerikën Latine luajti një rol të rëndësishëm në menaxhimin e llogarisë, thotë komisioni. Një burim që ka njohuri mbi këtë çështje tha se llogaria bankare njihej si "Familja kolumbiane".

Komisioni Senatit tha se banka çmaskoi llogaritë në fjalë, si dhe ato të një biznesmeni amerikan ku fshiheshin 220 milionë dollarë, vetëm pasi sinjalizuesit njoftuan autoritetet amerikane. Komisioni thotë se gjetjet në Zvicër vetëm sa kanë nxjerrë në pah vetëm një pjesë të vogël të problemit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat