Gazetari i “Wall Street Journal” vazhdon të mbahet në paraburgim

Amerika

Gazetari i “Wall Street Journal” vazhdon të mbahet në paraburgim

Më: 24 maj 2023 Në ora: 12:08
Evan Gershkovich

Një gjykatë ruse ka zgjatur me tre muaj paraburgimin e gazetarit të “The Wall Street Journal”, Evan Gershkovich, i cili po mbahet në burgun Lefortovo të Moskës i akuzuar për spiunazh.

Hetuesit thuhet se kërkuan që ai të qëndronte në burg deri më 30 gusht pasi paraburgimi hetimor fillimisht ishte caktuar të zgjaste deri më 29 maj, shkruajnë mediat e huaja.

Avokatja e tij, Tatyana Noshkina tha në prill se gazetari amerikan i kishte mohuar akuzat, pasi ankesa për paraburgim u refuzua nga gjykata.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të Gershkovich.

Gershkovich u arrestua nga shërbimet sekrete ruse (FSB) në qytetin e Yekaterinburg në Urale, në fund të muajit mars.

Sipas FSB-së, gazetari dyshohet se ka mbledhur informacione sekrete për agjencitë amerikane.

“The Wall Street Journal” i ka mohuar akuzat, duke theksuar se Gershkovich po e ndiqte punën e tij gazetareske me akreditimin e tij nga Ministria e Jashtme ruse.

Nëse Gershkovich dënohet, i cili ka rrënjë ruse, mund të përballet me 20 vjet burg.

‘Gershkovich u kap në flagrancë ndërsa spiunonte në emër të qeverisë amerikane”, tha më herët zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Shtëpia e Bardhë i ka hedhur poshtë akuzat, duke i quajtur ato të pabaza.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, i kërkoi Moskës të lejojë një vizitë konsullore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat