Ligjvënësi republikan Chris Stewart jep dorëheqjen

Amerika

Ligjvënësi republikan Chris Stewart jep dorëheqjen

Më: 1 qershor 2023 Në ora: 06:05
Chris Stewart

Ligjvënësi amerikan Chris Stewart njoftoi të mërkurën planet për të dhënë dorëheqjen nga mandati i tij i anëtarit të Dhomës së Përfaqësusve nga shteti i Jutës për shkak të sëmundjes së bashkëshortes së tij, duke shkaktuar mbajtjen e zgjedhje speciale për ta zëvendësuar atë në një rajon të dominuar nga republikanët.

“Mund të them me krenari se kam qenë një udhëheqës efektiv për shtetin tim të dashur dhe jam i nderuar që kam luajtur një rol të rëndësishëm në udhëheqjen e vendit tonë nëpër disa kohë të trazuara”, thuhet në një deklaratë të ligjvënësit Stewart.

Republikani me gjashtë mandate në Utah nuk ofroi detaje në lidhje me sëmundjen e bashkëshortes së tij dhe mbi kohën se kur do të largohet nga detyra, por në deklaratën e tij thuhet se ai planifikon të tërhiqet "pasi të sigurohet një tranzicion i rregullt".

Sipas ligjit të Jutës, guvernatori Spencer Cox ka shtatë ditë për të njoftuar një plan për zëvendësimin e ligjvënësit Stewart përmes organizimit të zgjedhjeve speciale.

Ndonëse dorëheqja e zotit Stewart do të zvogëlonte përkohësisht shumicën tashmë të lehtë të republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, ajo nuk pritet të ndikojë në aftësinë e Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy për të udhëhequr grupin e ligjvënësve republikanë. Zona që përfaqëson ligjvënësi republikan dominohet nga republikanët dhe ai shënoi fitore të thellë ndaj një rivali demokrat, duke marrë 30 për qind më shumë vota se sa kundërshtari i tij në vitin 2022.

Stewart, një veteran dhe autor librash, i cili ka shërbyer në Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara, u zgjodh për herë të parë në Kongres në vitin 2012 dhe bashkëpunoi me Elizabeth Smart nga Utah-s për të shkruar një libër mbi historinë e rrëmbimit të saj. 62-vjeçari Stewart ishte në listën e kandidatëve për drejtor të inteligjencës kombëtare të Shteteve të Bashkuara gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump.

Vitin e kaluar, republikanët në Juta spekuluan mbi planet e ligjvënësit Stewart për të kandiduar për një post tjetër. Vitin e kaluar, në një intervistë me prezantuesin e radios Hugh Hewitt, Stewart u tregua modest kur u pyet për planet e tij politike, veçanërisht nëse ai do të sfidonte Senatorin amerikan Mitt Romney ose Senatorin tjetër të moderuar, Cox.

Ndonëse disa republikanë tashmë kanë njoftuar planet për të sfiduar zotin Romney, dorëheqja e ligjvënësit Stewart krijon një vend të rrallë të hapur për republikanët e Jutës, kjo mund të ndryshojë planet e republikanëve të tjerë që mendonin të hynin në garë kundër senatorëve Romney ose Cox./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat