Dy persona kanë humbur jetën dhe 19 të tjerë janë lënduar pasi një anije e marinës meksikane u përplas në urën e Brooklyn të Nju Jorkut.
Policia amerikane tha se anija me 277 persona në bord, humbi fuqinë të shtunën teksa kapiteni po manovronte anijen, duke e detyruar atë të shkonte për në vargun e urës në anën e Brooklyn.
Pamjet tregojnë se direkët e lartë të anijes kapin urën teksa kalonte nën strukturë. Anëtarët e ekuipazhit po qëndronin në direkë ndërsa u këputën dhe ranë në kuvertë, thanë autoritetet.
Kreu i Bashkisë së Nju Jorkut Eric Adams konfirmoi në rrjetin X, se dy persona vdiqën dhe dy nga 19 të plagosurit ishin në gjendje kritike.
Ura nuk ka pësuar ndonjë dëmtim të madh dhe është rihapur pas një kontrolli paraprak.
Policia tha se besonte se "mosfunksionimi mekanik" dhe një ndërprerje e energjisë elektrike kishin shkaktuar përplasjen.
Presidentja e Meksikës Claudia Sheinbaum tha se ishte thellësisht e pikëlluar nga humbja e dy anëtarëve të ekuipazhit.
Anija, e cila është 91 metra e gjatë dhe 12 metra e gjerë, sipas marinës meksikane, lundroi për herë të parë në vitin 1982. Ajo çdo vit niset në fund të orëve të mësimit në shkollën ushtarake detare për të përfunduar stërvitjen e kadetëve.
Destinacioni i saj përfundimtar synohej të ishte Islanda. Ndër ndalesat e planifikuara gjatë rrugës ishte Skocia, në muajin korrik. Policia tha se lartësia e direkut të anijes ishte 48.2 metra. Faqja e internetit e departamentit të transportit të Nju Jorkut thotë se ura ka një hapësirë prej 135 metrash në qendër të saj.
Anija e dëmtuar u tërhoq nga vendi i ngjarjes pas përplasjes.