​Arrestime të shumëfishta pranë qendrës së imigracionit

Amerika

​Arrestime të shumëfishta pranë qendrës së imigracionit

Më: 8 qershor 2025 Në ora: 14:55
Foto ilustrim

Policia amerikane ka arrestuar disa persona në qendër të Los Anxhelosit, pranë një qendre ndalimi për imigracionin.

"Shumë individë u arrestuan për mos shpërndarje pavarësisht paralajmërimeve të shumta", tha Stacioni Qendror i Departamentit të Policisë së Los Anxhelosit në Platformën X, disa orë pasi u bëri thirrje protestuesve të largoheshin nga zona.

Policia kishte lëshuar më parë një urdhër shpërndarjeje në kryqëzimin e rrugëve Alameda dhe Temple, raporton kp.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, tha mbrëmë se sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, po shfaq "sjellje të çrregullt" duke kërcënuar të dërgojë marinsat aktivë në Los Anxhelos për të shuar protestat kundër politikave të imigracionit.

Më herët gjatë ditës, Hegseth njoftoi në të njëjtën platformë se marinsat në Kampin Pendleton në Qarkun San Diego ishin vendosur në gatishmëri të lartë.

Presidenti Trump urdhëroi që Garda Kombëtare të vihet nën kontrollin federal për të shtypur protestat kundër politikave të imigracionit në Los Anxhelos.

Kjo është hera e parë që një president amerikan ka përdorur këtë fuqi që nga trazirat e Los Anxhelosit në vitin 1992, të cilat shpërthyen pas lirimit nga akuzat për rrahjen e shoferit me ngjyrë Rodney King nga katër oficerë policie të bardhë.

Dhjetëra njerëz vdiqën në trazirat që zgjatën për disa ditë, mijëra u plagosën dhe mijëra u arrestuan. Dëmi i pronës u vlerësua në më shumë se një miliard dollarë, që konsiderohet si një nga format më të këqija të trazirave civile në historinë e SHBA-së, shkruan CNN.

Që nga Lufta e Dytë Botërore, qeveria federale ka aktivizuar Gardën Kombëtare në disa raste - më shpesh për të mbështetur zbatimin e ligjeve të të drejtave civile dhe për të ruajtur rendin publik gjatë heqjes së ndarjes racore në shkolla.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat