Nippon Steel ka finalizuar marrëveshjen për të blerë njëqind për qind (100%) të US Steel, prodhuesi ikonë i çelikut që dikur ishte kompania më e vlefshme në botë dhe gurthemel i fuqisë industriale amerikane, raporton CNN, transmeton KosovaPress.
Blerja vjen pavarësisht se presidenti Donald Trump ka thënë përsëritësisht se do të lejonte që marrëveshja të vazhdonte vetëm sepse ishte një “investim”, jo një blerje e plotë e kompanisë. Por ndërsa Nippon po blen tërësisht US Steel, sipas marrëveshjes finale, presidenti do të ketë mundësinë të vendosë veto ndaj çdo vendimi për mbylljen e fabrikave, uljen e prodhimit ose të stafit.
Marrëveshja më parë u bllokua nga presidenti Joe Biden në javët e fundit të mandatit të tij, duke përmendur arsye të sigurisë kombëtare, dhe ajo u kundërshtua nga Trump kur ishte në fushatë. Por kur Trump mori detyrën, tha se Nippon e përmirësoi marrëveshjen dhe premtoi investime shtesë në total prej 14 miliardë dollarësh në objektet e kompanisë, edhe pse vetëm 11 miliardë dollarë investime deri në vitin 2028 janë në marrëveshjen që Nippon dhe US Steel nënshkruan me qeverinë amerikane.
Muajin e kaluar Trump njoftoi se do të lejonte marrëveshjen, për sa kohë që operacionet amerikane të kompanisë ruanin emrin “US Steel”, selia lokale të mbetej në Pittsburgh dhe ai si president do të kishte të drejtë veto për të ndaluar reduktimet e stafit ose transferimin e punëve jashtë. Por ai vazhdoi të insistonte se ishte vetëm një “partneritet” ose “investim” nga Nippon Steel, jo një blerje e plotë.
“Është një investim, dhe do të jetë një pronësi e pjesshme [nga Nippon]”, tha Trump muajin e kaluar, disa ditë pas njoftimit që do ta miratonte marrëveshjen. “Do të kontrollohet nga Shtetet e Bashkuara, përndryshe nuk do ta bëja marrëveshjen”.
Në një tubim në fabrikën e US Steel jashtë Pittsburghut një javë pas deklaratës se do ta lejonte marrëveshjen, Trump i tha një turme punëtorësh të çelikut që brohorisnin se kjo do të ishte një marrëveshje e mirë për ta. “Më pyetën përsëri dhe përsëri, dhe unë vazhdova ta refuzoj, jo, jo, jo”, tha ai. “Marrëveshja u bë gjithnjë e më e mirë për punëtorët”, tha Trump. “Do ta mbikëqyr atë. Do të jetë e shkëlqyer”.
Trump vazhdoi duke thënë se SHBA do të mbante furrat e shkrirjes në kapacitet të plotë për të paktën një dekadë tjetër, dhe se nuk do të ketë “pushime nga puna dhe asnjë transferim pune jashtë”.
Por ndërsa disa zyrtarë sindikalë lokalë ishin në tubim dhe lavdëruan marrëveshjen, sindikata United Steelworkers (USW) vazhdoi ta kundërshtojë atë. Në një deklaratë të dielën, ajo vuri në dyshim premtimet dhe mbrojtjet që ofron marrëveshja, edhe me faktin që Trump dhe presidentët e ardhshëm kanë të drejtë veto ndaj disa veprimeve.
“Ndoshta logoja historike ‘USS’ do të mbetet, por duket se do të jetë vetëm një maskim për të lejuar që një filial në pronësi të plotë private i një korporate japoneze të quhet ‘Amerikane’”.
US Steel dikur ishte një simbol i dominimit industrial amerikan. Ishte kompania më e vlefshme në botë dhe e para që vlerësohej 1 miliard dollarë, pak kohë pas krijimit të saj në 1901. Gjithashtu ishte thelbësore për ekonominë amerikane gjatë pjesës më të madhe të shekullit 20, duke siguruar çelikun e nevojshëm për ndërtimin e makinave, pajisjeve, urave dhe qiellgërvishtësve, si dhe armëve që ndihmuan në fitimin e Luftës së Dytë Botërore.
Por ka pësuar dekada rënie që nga kulmi pas Luftës së Dytë Botërore. Nuk është më as prodhuesi më i madh i çelikut në SHBA, dhe është një punëdhënës relativisht i vogël, me 14,000 punonjës amerikanë — 11,000 prej tyre anëtarë të USW.