Pamje të reja të publikuara nga mediat amerikane tregojnë vendin e saktë nga ku besohet se është qëlluar për vdekje aktivisti konservator, Charlie Kirk, gjatë një fjalimi në Universitetin e Luginës së Utah-ut (Utah Valley University). Në çatinë e ndërtesës “Losee Center” janë vendosur shenjat e para të hetimeve, ndërsa autoritetet amerikane kanë shpallur një shpërblim deri në 100 mijë dollarë për kapjen e autorit.
Hetuesit federalë konfirmuan se një pushkë me kalibër të lartë është gjetur e braktisur pranë kampusit, ndërsa analizat balistike janë në proces.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë një person të gjatë, të veshur me rroba të errëta dhe syze, i cili konsiderohet si “person i interesit”. FBI njoftoi se përveç armës, janë marrë edhe gjurmë këmbësh dhe shenja të tjera fizike që po analizohen në laborator.
Kirk, 31-vjeçar dhe themelues i organizatës Turning Point USA, u qëllua në qafë gjatë një tubimi me rreth 3 mijë pjesëmarrës.
Ai u dërgua me urgjencë në spital, por nuk arriti t’i mbijetojë plagëve. Vdekja e tij ka tronditur skenën politike amerikane, ndërsa figura nga të dyja krahët politikë kanë dënuar aktin.
Presidenti Donald Trump njoftoi se do ta dekorojë post mortem Kirk-un me Medaljen Presidenciale të Lirisë, duke e cilësuar atë “një gjigant të gjeneratës së tij dhe një inspirim për miliona amerikanë”.
Ndërkohë, kërkimi për atentatorin vazhdon, me qindra agjentë federalë dhe policë lokalë të angazhuar në operacion.

