Një i dyshuar për vrasjen me armë zjarri të aktivistit konservator, Charlie Kirk, është arrestuar, njoftoi të premten, presidenti amerikan, Donald Trump.
Vrasësi i Kirkut u kishte ikur policisë dhe agjentët federalë për më shumë se 24 orë pasi të mërkurën mbrëma e qëlloi me snajper Kirkun, aleatin e ngushtë të Trumpit, gjatë një paraqitjeje në Universitetin Valley në Utah.
“Mendoj se e kemi kapur”, tha Trump në një intervistë për emisionin “Fox and Friends”, duke shtuar se një person që e njihte të dyshuarin e ka dorëzuar atë te autoritetet.
“Besoj, me një shkallë të lartë të sigurisë, se e kemi atë në paraburgim”, tha Trump.
Trumpi nuk e zbuloi identitetin e të dyshuarit, por dy burime thanë për agjencinë e lajmeve Reuters si i arrestuari është Tyler Robinson, 22-vjeçar.
I dyshuari është dërguar në paraburgim në Utah, tha në kushte anonimiteti një person i përfshirë në hetim.
Më herët, hetuesit amerikanë thanë se kishin gjetur snajperin që besohet të jetë përdorur për ta vrarë Kirkun dhe publikuan fotografi dhe video të një personi me interes.
FBI-ja kishte shpërndarë fotografi me cilësi të ulët, të marra nga kamerat e sigurisë, ku shihej një person i veshur me bluzë të zezë, syze të zeza dhe kapele të errët bejsbolli.
Zyrtarët e rendit gjithashtu publikuan një video të qitësit që vraponte mbi çati dhe zbriste poshtë.
Kirk, autor, drejtues podkasti dhe aleat i afërt i Trumpit, ndihmoi në forcimin e mbështetjes për Partinë Republikane mes votuesve të rinj.
Trump tha se i dyshuari u njoh nga njerëzit pranë tij dhe sugjeroi se babai i të dyshuarit e kishte çuar në një stacion policie dhe e kishte dorëzuar.
Kirk ishte bashkëthemelues dhe president i grupit studentor konservator, Turning Point USA, dhe mori pjesë në Universitetin Valley në Utah të mërkurën si pjesë e një turi të planifikuar me 15 aktivitete, të quajtur “American Comeback Tour” në kampuse universitare amerikane.
Vrasja e tij shkaktoi zemërim dhe dënime të dhunës politike nga demokratët, republikanët dhe qeveritë e huaja. / REL