Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka rikthyer retorikën e ashpër ndaj Iranit, duke paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara mund të “shkatërrojnë” centralet elektrike dhe urat iraniane, nëse Teherani nuk pranon një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit.
Në një postim të gjatë në platformën e tij Truth Social, ish-presidenti amerikan reagoi pas zhvillimeve të fundit rreth Ngushticës së Hormuzit, ku janë raportuar sulme ndaj anijeve dhe tensione të reja detare. Trump pretendoi se mbyllja e mundshme e kësaj rruge strategjike nuk i shkakton dëm SHBA-ve, por sipas tij “i kushton miliona dollarë Iranit”.
Ai gjithashtu njoftoi se një delegacion amerikan do të rikthehet në Pakistan për bisedime të mëtejshme paqeje, duke deklaruar se përfaqësuesit e SHBA-së do të mbërrijnë atje gjatë mbrëmjes së nesërme.
Trump më herët kishte pohuar se Irani kishte pranuar të mos e mbyllte më Ngushticën e Hormuzit, por situata në terren mbetet e tensionuar dhe e paqartë.
Në mesazhin e tij të fundit, ai e mbylli me një deklaratë të fortë: “KA ARDHUR KOHA QË MAKINA E VRASESVE TË IRANIT TË PËRFUNDOJË!”
Megjithatë, vlen të theksohet se më herët kërcënime të ngjashme nga Trump ndaj infrastrukturës energjetike iraniane nuk janë materializuar, ndërsa goditja e objekteve civile dhe energjetike konsiderohet gjerësisht si shkelje e së drejtës ndërkombëtare.