Presidenti Donald Trump ka sulmuar ashpër çmimet e larta të biletave për Botërorin 2026, duke deklaruar se kostoja e tyre është e papranueshme edhe për të.
Gjatë një interviste për The New York Post, referuar nga The Independent, Trump u shpreh i shokuar kur mësoi se biletat më të thjeshta për ndeshjen SHBA-Paraguaj nisin nga 1,056 dollarë.
"Nuk e kisha ditur atë shifër," tha Trump, duke shtuar: "Do të dëshiroja sigurisht të isha aty, por as unë nuk do t'i paguaja ato, të jem i sinqertë me ju."
Ai shprehu shqetësimin se votuesit e tij mund të mbeten jashtë stadiumeve për shkak të kostove, duke theksuar: "Nëse njerëzit nga Queens dhe Brooklyn dhe të gjithë ata që e duan Donald Trump-in nuk mund të shkojnë, do të isha i zhgënjyer."
Nga ana tjetër, presioni ndaj FIFA-s po rritet ndërsa krahasimet me Botërorin e kaluar në Katar tregojnë një rritje marramendëse; biletat më të shtrenjta për finalen e këtij viti arrijnë deri në 11,000 dollarë, krahasuar me 1,600 dollarë që ishin në vitin 2022.
Megjithatë, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka mbrojtur këto shifra duke argumentuar se ato pasqyrojnë tregun amerikan të argëtimit.
"Ne duhet të aplikojmë tarifat e tregut," u shpreh Infantino, duke shtuar se në SHBA lejohet rishitja e biletave, çka rrit vlerën e tyre.
Pavarësisht kritikave për "korporatizimin e Botërorit", Trump u shpreh i kënaqur me suksesin e shitjeve, duke vënë në dukje se mbi pesë milionë biletat e shitura deri tani janë një arritje që "nuk është parë kurrë më parë."