Të shtëna në Nju Jork gjatë një arrestimi nga ICE, plagoset një person – shpërthejnë protestat

Amerika

Të shtëna në Nju Jork gjatë një arrestimi nga ICE, plagoset një person – shpërthejnë protestat

Nga: A.M. Më: 9 tetor 2026 Në ora: 07:42
Foto nga vendi i ngjarjes

Një person nga Republika Dominikane është plagosur nga të shtënat e një agjenti federal të imigracionit gjatë një operacioni arrestimi në Nju Jork, të enjten. Ngjarja ka nxitur reagime të ashpra nga zyrtarët lokalë dhe protestuesit, të cilët e kanë cilësuar atë si shembull të rreziqeve që paraqet fushata e administratës së Donald Trump kundër emigracionit të paligjshëm.

Sipas Departamentit amerikan të Sigurisë Kombëtare (DHS), operacioni ishte pjesë e një aksioni të shënjestruar për zbatimin e ligjit. I plagosuri ka mbijetuar dhe po merr trajtim në spital.

Megjithatë, autoritetet nuk kanë dhënë detaje të plota mbi rrethanat që çuan në përdorimin e armës, duke bërë të ditur vetëm se gjatë incidentit një agjent i Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave (ICE) ka qëlluar me armë zjarri, duke plagosur personin.

Image
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryetari i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, dhe guvernatorja e shtetit, Kathy Hochul, thanë se kishin marrë informacione sipas të cilave agjentët qëlluan ndaj personit ndërsa ai ndodhej në një automjet bashkë me një fëmijë pesëvjeçar. Sipas raportimeve, fëmija nuk ka pësuar lëndime.

Hochul bëri të ditur se kishte kontaktuar përmes telefonit presidentin amerikan Donald Trump dhe sekretarin e Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, duke u kërkuar ndërprerjen e operacioneve të zbatimit të ligjit për imigracionin në Nju Jork, shkruan Euronews, transmeton "Bota sot".

Edhe Mamdani kërkoi ndalimin e aksioneve të ICE-së në qytet, duke e cilësuar të shtënën ndaj personit si një ngjarje të papranueshme dhe jashtëzakonisht serioze.

Dëshmitarët dëgjuan disa të shtëna, protestuesit dolën në rrugë

Image
Foto nga vendi i ngjarjes

Të shtënat u dëgjuan rreth orës 16:00 sipas kohës lokale, në Marble Hill, një zonë e vogël e Manhatanit që lidhet gjeografikisht me lagjen Bronx.

Pedro Almaraz, punonjës në një restorant aty pranë, tha se kishte dëgjuar rreth tri ose katër të shtëna armësh. Më pas, ai pa një person të shtrirë në tokë, të rrethuar nga disa agjentë të maskuar, të veshur me jelekë ku shënohej Departamenti i Sigurisë Kombëtare.

Sipas tij, dëshmitarët në vendngjarje po bërtisnin.

Pamje dhe fotografi të publikuara në rrjetet sociale tregojnë një person të ulur në tokë, me duart pas shpinës, menjëherë pas të shtënave. Në një tjetër video, pjesëtarë të policisë së Nju Jorkut shihen duke ngritur një person të plagosur dhe duke e futur në një automjet policor.

Image
Foto nga vendi i ngjarjes

Në afërsi të vendit të ngjarjes, një veturë e dëmtuar kishte bllokuar rrugën. Në dy xhamat e saj shiheshin vrima të vogla. Pamjet tregojnë gjithashtu agjentë me shenjat identifikuese të ICE-së, përfshirë një prej tyre që mbante një pushkë.

Pas incidentit, protestuesit u mblodhën në vendngjarje duke brohoritur: “ICE, largohuni nga rrugët tona tani!”. Më pas, ata marshuan drejt spitalit ku po trajtohej personi i plagosur.

Një numër i madh protestuesish bllokuan një kryqëzim pranë hyrjes së spitalit. Kur policia filloi të vendoste barriera për të lejuar kalimin e autoambulancave dhe automjeteve të tjera, disa protestues kaluan me forcë përtej tyre dhe hodhën shishe uji drejt policëve.

DHS fajëson politikat e qyteteve të drejtuara nga demokratët

Departamenti i Sigurisë Kombëtare reagoi duke deklaruar se agjentët e tij detyrohen të kryejnë arrestime në zona publike, në rrethana të paparashikueshme dhe të rrezikshme, kur persona që i cilëson si emigrantë të paligjshëm dhe të rrezikshëm lirohen nga paraburgimi.

Agjencia fajësoi politikat e ashtuquajtura “strehë”, të zbatuara në zona të drejtuara nga demokratët. Ky term përdoret përgjithësisht për qeveritë shtetërore dhe lokale që kufizojnë bashkëpunimin me autoritetet federale të imigracionit, megjithëse nuk ekziston një përkufizim i vetëm dhe i qartë për këto juridiksione.

Sipas DHS-së, personi i plagosur kishte një dënim të mëparshëm për vjedhje të rëndë dhe një histori arrestimesh të tjera. Agjencia tha se ai ishte arrestuar nga policia e Nju Jorkut në dhjetor të vitit 2023 dhe më pas ishte liruar.

Incidenti vjen në një kohë kur përdorimi i armëve të zjarrit nga agjentët e ICE-së gjatë ndalimeve të automjeteve është vënë gjithnjë e më shumë në pikëpyetje.

Sipas raportimit të Euronews, që nga viti i kaluar, agjentët e ICE-së kanë qëlluar me armë gjatë më shumë se një duzine ndalimesh automjetesh, duke vrarë të paktën katër persona dhe duke plagosur të tjerë.

Në fund të shtatorit, ICE urdhëroi agjentët të mos përfshiheshin në ndjekje me shpejtësi të lartë të automjeteve dhe të kryenin ndalime të tilla vetëm nëse kishin përfunduar trajnime të posaçme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat