Pushkatimi live i autorit të masakrës së Fort Hood përçan Amerikën, Vance: “Nuk do ta shikoj”

Amerika

Pushkatimi live i autorit të masakrës së Fort Hood përçan Amerikën, Vance: “Nuk do ta shikoj”

Nga: bota sot Më: 9 tetor 2026 Në ora: 22:28
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance flet me gazetarët të premten, ku shprehu dyshime për planin e Pentagonit për të transmetuar drejtpërdrejt ekzekutimin e Nidal Hasanit.

Plani i Pentagonit për të transmetuar live ekzekutimin e autorit të masakrës në Fort Hood ngjall kritika nga të dy partitë

Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance ka vënë në dyshim nëse Pentagoni do ta zbatojë vërtet planin për të transmetuar drejtpërdrejt ekzekutimin me pushkatim të Nidal Hasanit, ish-majorit të ushtrisë amerikane që vrau 13 ushtarë në bazën Fort Hood në vitin 2009.

Duke folur të premten me gazetarët, Vance tha se i ka parë njoftimet, por nuk është i bindur se kjo do të ndodhë. Ai shtoi se, nëse ekzekutimi transmetohet live, ai personalisht nuk do ta ndjekë.

Vance e cilësoi sulmin e Hasanit si sulmin terrorist më të rëndë në tokën amerikane pas 11 shtatorit. Sipas tij, Hasani, detyra e të cilit ishte t’u ndihmonte ushtarëve me probleme të shëndetit mendor, i goditi ata pikërisht kur ishin më të pambrojtur. Në sulm u plagosën edhe 32 persona të tjerë.

Pentagoni njoftoi këtë javë se Hasani do të ekzekutohet me pushkatim. Do të ishte ekzekutimi i parë ushtarak në SHBA pas më shumë se 60 vitesh dhe i pari i këtij lloji që nga Lufta e Dytë Botërore. Të enjten, sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se ekzekutimi do të transmetohet publikisht. Sipas tij, njerëzit duhet ta kuptojnë se krime të tilla kanë pasoja serioze.

Plani ka hasur në kundërshtim nga të dy kampet politike. Senatori republikan John Curtis paralajmëroi se kthimi i ekzekutimeve në spektakël publik i dëmton shoqëritë dhe i bëri thirrje Hegsethit ta rishqyrtojë vendimin. Sipas tij, viktimat meritojnë drejtësi me dinjitet dhe transmetimi i një vdekjeje nuk e frenon krimin. Senatori demokrat Chris Murphy e quajti idenë të neveritshme dhe e krahasoi me ekzekutimet e grupit Shteti Islamik.

Konferenca e Ipeshkvijve Katolikë të SHBA-së e dënoi vendimin. Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut deklaroi se transmetimi live do të barazohej me një ekzekutim publik dhe do të shkelte ndalimin absolut të torturës.

BBC i ka kërkuar Shtëpisë së Bardhë të sqarojë nëse presidenti Trump e mbështet planin.

Burimi: BBC

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat