Një tërmet me fuqi 7.7 sipas shkallës Rihter goditi Panamanë duke shembur ndërtesa dhe rrugë në qendër të vendit dhe duke lënë të lënduar të paktën 27 persona, ndërsa nuk u raportua asnjë viktimë, njoftoi Sistemi Kombëtar i Mbrojtjes Civile.
Lëkundja, me epiqendër në thellësi të vogël, u ndje në të gjithë vendin e Amerikës Qendrore me rreth 4.5 milionë banorë.
Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS) njoftoi se tërmeti goditi në orën 12:56 me kohën lokale, me epiqendër 10 kilometra larg qytezës Pitaloza Arriba, në provincën qendrore Herrera. Fillimisht, USGS e vlerësoi tërmetin 8, por më pas e rishikoi atë në 7.7.
Në Qytetin e Panamasë, rreth 200 kilometra larg epiqendrës, mbizotëroi paniku ndërsa njerëzit nxituan të evakuoheshin nga rrokaqiejt e qytetit.
Autoriteti i Kanalit të Panamasë njoftoi se lundrimi përmes kanalit, i cili lidh Oqeanin Paqësor me atë Atlantik, nuk ishte prekur dhe po vijonte "normalisht".
Ministri i Shëndetësisë, Fernando Boyd, tha se zonat më të prekura ishin provincat Herrera dhe Cocle, si dhe Los Santos.
Aeroporti ndërkombëtar i Qytetit të Panamasë, një nyje kryesore për rajonin, u mbyll përkohësisht.
Tërmeti në Panama është të paktën i katërti këtë vit në Amerikën Latine që e kalon magnitudën 7, pas tërmeteve shkatërruese në Venezuela dhe Kolumbia.