Emërimi i Katie Zacharia, zëdhënëse e re e Shtëpisë së Bardhë, ka tërhequr vëmendjen edhe te bashkëshorti i saj, Tyler Zacharia, një producent filmash që ka punuar në projekte të njohura të Hollivudit si Silence, The Starling dhe The Irishman i Martin Scorsese.
Tyler Zacharia është një menaxher në industrinë e argëtimit dhe investimeve, i cili ka shërbyer për katër vitet e fundit si Drejtor Operativ (COO) i kompanisë "2521 Entertainment".
Sipas bazave të të dhënave të filmit, Tyler Zacharia ka punuar si producent në mbi 15 filma, ku filmi Roofman renditet ndër projektet e tij të ardhshme. Karriera e tij në industrinë e argëtimit përfshin gjithashtu menaxhimin e operacioneve të biznesit në kompanitë "Boies Schiller Entertainment" dhe "CenterStage Technologies".
Profili i tij në LinkedIn tregon se ai ka shërbyer si Drejtor Operativ (COO) në kompanitë e prodhimit "Limelight Productions" dhe "Fabrica de Cine", si dhe si Drejtor Ekzekutiv (CEO) dhe bashkëthemelues i "Moriah Media" dhe "SharpSword Films". Zacharia është diplomuar në Universitetin Georgetown dhe ka marrë një diplomë Master në Administrim Biznesi (MBA) nga Universiteti Pepperdine.
Në fillimet e karrierës së tyre, çifti jetoi dhe punoi në Pekin. Nga viti 2011 deri në 2013, Katie punoi si bashkëpunëtore në firmën ligjore "Zhong Lun", ndërsa njëkohësisht menaxhonte komunikimin dhe mbledhjen e fondeve për organizatën jofitimprurëse "Compassion for Migrant Children".
Gjatë së njëjtës periudhë, Tyler shërbeu si zëvendëspresident me bazë në Pekin për "SGI Frontier Capital", një fond investimesh të kapitalit të sipërmarrjes që përqendrohej te tregjet në zhvillim. Sipas profilit të tij në LinkedIn, ai mbikëqyri investimet në Kinë, Mongoli dhe Brazil nga viti 2007 deri në vitin 2013.
"Kam studiuar në Georgetown dhe kam kaluar njëfarë kohe në Pekin gjatë studimeve të mia. Pas diplomimit, u ktheva në Kinë dhe takova një person që po niste një fond të kapitalit sipërmarrës. Atij i duhej dikush që fliste kinezisht. Nuk dija asgjë për financat, por ai më punësoi dhe unë mësova gjatë punës," tha Tyler Zacharia për faqen e internetit të Universitetit Pepperdine.
"Kompania nisi me katër persona dhe shpejt u rrit në dyzet punonjës në gjashtë vende të ndryshme. Mësova se, kur mbyll marrëveshje në Kinë – apo kudo tjetër, në fakt – shifrat dhe të dhënat nuk janë aq të rëndësishme sa aftësitë në marrëdhëniet me njerëzit. Kjo është ajo që më pëlqen shumë më tepër sesa të qëndroj ulur para tabelave të llogaritjeve", shtoi ai.
Katie dhe Tyler Zacharia janë të martuar që nga viti 2011, kanë katër fëmijë dhe jetojnë në Kaliforninë Jugore. Marrëdhënia e tyre nisi shumë kohë para se Katie të bëhej një fytyrë e njohur në mediat dhe politikën konservatore, ku ajo ka punuar për Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe "Trump Media & Technology Group", ndër të tjera.
Arsyeja e interesit të shtuar mediatik është njoftimi i së premtes nga presidenti Donald Trump, me të cilin ai konfirmoi se Katie Zacharia do të merr detyrën e sekretares së shtypit të Shtëpisë së Bardhë, duke zëvendësuar Carolina Leavitt.