Amerikania Christa Pike (50), e cila ndodhet në pritje të ekzekutimit me vdekje, është larguar nga spitali dhe është kthyer në burg pasi i mbijetoi një tentative ekzekutimi në fund të muajit të kaluar, thanë avokatët e saj, raporton BBC.
Pike është kthyer në burgun ku ka kaluar 30 vjetët e fundit. Ajo do të vazhdojë të marrë kujdes mjekësor atje, deklaruan avokatët e saj në një njoftim të lëshuar sot.
Një tentativë për ekzekutimin e saj u krye më 30 shtator, kur ajo mori dy injeksione vdekjeprurëse me pentobarbital. Megjithatë, ajo mbijetoi dhe u dërgua në spital në gjendje kritike. Në fillim të kësaj jave, ajo rifitoi vetëdijen dhe filloi të fliste sërish, duke habitur si mjekët ashtu edhe avokatët e saj.
Sipas informacioneve në dispozicion, Christa Pike është personi i vetëm që i ka mbijetuar një tentative ekzekutimi me injeksion vdekjeprurës. Në një seancë gjyqësore të mërkurën, Ndihmës-Prokurori i Përgjithshëm i Tenesisë, Will Ayers, deklaroi se nuk e dinte nëse shteti do të caktonte një datë të re ekzekutimi.
Pas ekzekutimit të dështuar, Pike ishte pa ndjenja dhe u dërgua me urgjencë në spital. Ajo u zgjua të martën, kur filloi të fliste sërish. Sipas avokatëve të saj, fjalët e para që shqiptoi ishin: "Ku jam?" dhe "Kush je ti?"