Ka mundësi të paditet edhe gruaja e sulmuesit në Orlando

Amerika

Ka mundësi të paditet edhe gruaja e sulmuesit në Orlando

Më: 15 qershor 2016 Në ora: 08:06
Sulmuesi i vrarë i lokalit të natës në Orlando, Omar Mateen

Prokurorët amerikanë ka mundësi të ngrisin aktakuzë ndaj bashkëshortes së autorit të sulmit në Orlando ku u vranë 49 persona dhe u plagosën shumë të tjerë.

Prokurorët dyshojnë se ajo ndonëse kishte njohuri për sulmin, nuk e kishte njoftuar policinë, raportojnë mediat amerikane.

Agjencia e lajmeve, Reuters dhe “FoxNews.com” kanë raportuar se prokurorët e kanë organizuar një juri të madhe për të hetuar bashkëshorten e Omar Mateen, Noor Salman.

Padia mund të ngritet duke e akuzuar atë si ndihmëse për vrasjet.

“NBC News” ndërkaq raporton se Salman ka bërë përpjekje që të bisedoj me bashkëshortin e saj duke i kërkuar që të heq dorë nga sulmi, por ajo gjithashtu i ka thënë FBI-së se njëherë e ka vozitur deri te klubi i natës, “Pulse”, sepse ai dëshironte që ta vëzhgojë lokalin.

Mateen, i cili u vra nga policia brenda lokalit më 12 qershor, e kishte thirrë në telefon policinë gjatë sulmit duke thënë se është besnik ndaj grupit militant, Shteti Islamik.

Raportohet se ai e kishte thirrë në telefon edhe gruan e tij.

Hetuesit federal dhe Shtëpia e Bardhë kanë thënë se ai është radikalizuar vet, dhe se nuk ka ndonjë dëshmi që thotë se ai ka marrë instrukcione apo ndihmë nga grupe si Shteti Islamik.

Por, FBI gjithashtu është duke i hetuar raportimet se Mateen e ka vizituar disa herë klubin ku e kreu sulmin duke kërkuar takime me homoseksualë, dhe se ai kishte një jetë sekrete prej homoseksuali, megjithëse e ka shprehur urrejtjen e tij ndaj tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat