Modernizimi i sistemeve amerikane të armëve bërthamore

Amerika

Modernizimi i sistemeve amerikane të armëve bërthamore

Më: 28 shtator 2016 Në ora: 17:36
ilustrim

Duke folur në bazën Kirtland të Forcave Ajrore në shtetin e Nju Meksikos të martën, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes Ash Carter u tha trupave amerikane se misioni bërthamor është "gur-themeli i sigurisë amerikane."

Shtetet e Bashkuara mund të frenojnë një sulm bërthamor në tre mënyra: nga toka me raketa balistike, nga ajri me armë bërthamore të instaluara në bombarduesit dhe avionët luftarakë, si dhe nga deti me raketa bërthamore të instaluara në nëndetëset amerikane të cilat patrullojnë oqeanet. Këto metoda janë të njohura me termin "treshja bërthamore".

Modernizimet e nevojshme të sistemit të armëve bërthamore

Por të gjitha programet kanë arritur kohën kur ato duhet të modernizohen.

Avioni i fundit bombardues, B-52H doli nga linjat e prodhimit në vitin 1952. Bomba të reja bërthamore, B61-12 janë duke u zhvilluar në laboratorin e bazës Kirtland të Forcave Ajrore. Si pjesë e këtij operacioni është modernizimi i teknologjisë së tubacioneve dhjetëra vjeçare. Bombat e reja brthamore nuk do të jenë gati deri në vitin 2020.

William Schneider, President i Shërbimeve të Planifikimit Ndërkombëtar dhe ish-Nënsekretarit i Shtetit për Siguri, Shkencë dhe Teknologji, thotë se sistemi tokësor i raketave balistike interkontinentale ose ICBM III, është prodhuar në vitin 1970 dhe ka nevojë për një modernizim të plotë.

"Si një pikë referimi e karakterit të tyre të vjetëruar është përdorimi i disketave dhe kompjuterave që sot në çdo ambient do të kosideroheshin relike", tha zoti Schneider për Zërin e Amerikës.

Sistemi që do të zëvendësojë ICBM do të quhet Ground Based Strategic Deterrent ose GBSD, por ai nuk pritet të jetë gati deri në fund të vitit 2020.

Edhe sistemi më rezistent i treshes bërthamore – nëndetëset - janë gjithashtu të vjetëruara. Jeta e tyre është zgjatur nga 30 në 42 vjet, që do të thotë se në dekadën e ardhshme ato do të duhet të modernizohen ose të zëvndësohen.

Ndikimi i luftërave në Irak dhe Afganistan

Për vite me radhë sektori bërthamor vuajti nga fonde dhe vëmendje e pamjaftueshme; si rezultat tani kanë lindur pikëpyetje mbi besueshmërinë dhe sigurinë e armëve më të rrezikshme të Shteteve të Bashkuara në qoftë se nuk veprohet shpejt për përmirësimin e tyre.

"Në qoftë se duam të ruajmë sigurinë dhe efekthmërinë e forcës sonë, ne do të duhet të ndërmarrim veprime për të zëvendësuar sistemet ekzistuese të aktivizimit dhe të zgjasim jetën e armëve bërthamore që kemi," tha Frank Klotz, Nënsekretar i Energjisë për Siguri bërthamore, në një diskutim bërthamor të organizuar kohët e fundit nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë.

Ndërsa në Nju Meksiko, Sekretari Carter i bëri jehonë nevojës për të modernizuar tre sistemet kyçe të arsenalit bërthamor dhe për këtë vonesë fajësoi "preokupimin" e vendit me luftërat në Irak dhe Afganistan, që ai ai i quajti "të kuptueshme".

SHBA prapa Rusisë dhe Kinës

Vonesat e modernizimit e kanë vënë Programin Bërthamor të Shteteve të Bashkuara 20 vjet prapa programeve kineze dhe ruse të modernizimit, thotë zoti Schneider.

"Kjo në vetvete është një burim paqëndrueshmërie dhe diçka që duhet ta korrigjojmë", thotë ai.

Programi frenues kryesor ushtarak i Shteteve të Bashkuara është në një plan modernizimi që do të kushtojë 108 miliardë dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme. Megjithatë, mosmarrëveshjet mbi buxhetin në Kongres kanë vazhduar të kërcënojnë qëndrueshmërinë e planeve të ardhshme të modernizimit./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat