Kulla "Trump", ndërtesa ku vendoset për administratën e re

Amerika

Kulla "Trump", ndërtesa ku vendoset për administratën e re

Më: 11 dhjetor 2016 Në ora: 00:42
ilustrim

Një prej zonave me të pasura të Nju Jorkut, që njihet për shkëlqimin dhe luksin, është kthyer në arenën kryesore politike të vendit. Kulla “Trump”, e njohur ndryshe edhe si “Shtëpia e Bardhë në Veri”, është zyra kryesore dhe shtëpia e presidentit të zgjedhur. Ajo është shdërruar në “mekën” e turistëve, por në një makth të vërtetë për punonjësit e sigurisë dhe sfidë më vete për gazetarët. Në vazhdim, korrespondenti i “Zërit të Amerikës” Ramon Taylor, na njeh më nga afër me ndërtesën ku po gatuhet fati i administratës së ardhshme.

Zemra e lagjes së Manhatanit, aty ku ndodhet “Trump Tower”, nuk është vetëm një qendër blerjesh, apo gjuetie për të pasurit dhe të famshmit. Ajo është shtëpia e presidentit të zgjedhur Donald Trump.

Në hollin kryesor të ndërtesës, përballë katër ashensorëve të praruar, pas një kordoni të kadiftë, që nuk mund ta kalojnë, qëndrojnë gazetarët që ndjekin zhvillimet e tranzicionit për Shtëpinë e Bardhë. Ata kanë përgjegjësinë të raportojnë hyrjet dhe daljet e ndihmësve kryesorë dhe anëtarëve të mundëshëm të kabinetit Trump.

Një prej gazetarëve i krahason këto ditë të qëndrimit aty, pak a shumë me peshkimin.

“Rrimë për një kohë të gjatë në një pozicion ku nuk shohim njeri por nuk duhet të humbasim fokusin. Asnjëherë nuk i dihet kush kalon dhe duhet të jesh gati t’i identifikosh, të hedhësh pyetje, pa asnjë paralajmërim”, thotë Hunter Walker, korrespondent i faqes në internet “Yahoo News”.

Veshja e brendëshme e mermertë me dekoracionet festive, dyqanet e panumerta luksoze, mjediset e shumta për të ngrenë, janë një vend i nxehtë edhe për turistët, të cilët gjithëaq shpresojnë të jenë dëshmitarë të asaj që ndodh aty.

“Ushqimi është shumë i mirë, shërbimi i mrekullueshëm, ndërtesa e mahnitshme. Na pëlqen atmosfera” thotë turistja nga Teksasi, Susan Neighbors.

Ndërtesa 202 metra e lartë është shtëpia e miliarderit Donald Trump, sot presidenti i zgjedhur i Amerikës. Po aty jetojnë personalitete të tjera, si ylli i kinemasë Bruce Willis dhe ai i futbollit Cristiano Ronaldo, përfshirë bizneset e sërës së lartë si Gucci.

Por gjatë këtij sezoni blerjesh, bizneset që rrethojnë Trump Tower, po vuajnë probleme financiare, për shkak të logjistikës që rrethon presidentin e zgjedhur.

“Problemi ynë është se është kufizuar rreptësisht kalimi i konsumatorëve në këtë zonë. Bazuar në bisedat që kam bërë me biznesmenë të tjerë flasim për dhjetra milionë dollarë humbje, vetëm për sezonin e Krishtlindjeve”, thotë biznesmeni Tom Cusick.

Kryebashkiaku i qytetit thotë se përparësitë e tij janë të fokusuara gjetkë.

“Jeta ime nuk rrotullohet rreth Guccit dhe Tiffany-t, por mund të them që trafiku është shumë problematik” thotë kryebashkiaku i Nju Jorkut Bill De Blasio.

Dhe me ç’duket do të vazhdojë të jetë, për shkak se Melani Trump dhe djali i saj 10 vjeçar Barron do të vazhdojnë të qëndrojnë në “Trump Tower” deri në përfundim të vitit shkollor në 2017.

“Kemi angazhuar një numër të konsiderueshëm policësh për të ruajtur Trump Tower, gjatë 24 orëve”, thotë Carlos Gomez, përfaqësues i departamentit të policisë lokale.

Kostoja për taksapaguesit llogaritet në më shumë se 1 milionë dollare në ditë sipas zyrtarëve. Të papranueshme për shumë, por jo për të gjithë.

“Kemi një president që shpenzon shumë kohë gjithandej përveç Shtëpisë së Bardhë, që na kushton shumë para. Kjo është shtëpia e tij dhe për mua nuk është problem”- thotë një mbështetës i Donald Trumpit, Pim Couch.

Derisa presidenti i zgjedhur të betohet dhe të marrë zyrtarisht detyrën, “Shtëpia e Bardhë në Veri” siç njihet kulla “Trump”, do të vazhdojë të përbëjë një object të rëndësisë së veçantë për policinë e Nju Jorkut dhe shërbimet sekrete amerikane, përveç shtëpisë së re të zotit Trump në kryeqytet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat