Kabineti Trump dhe dallimet me Presidentin e zgjedhur

Amerika

Kabineti Trump dhe dallimet me Presidentin e zgjedhur

Më: 15 janar 2017 Në ora: 07:24
Kabineti Trump dhe dallimet me Presidentin e zgjedhur

Të emëruarit në postet kyçe të kabinetit Trump po shprehin qëndrime krejt të ndryshme nga ato të Presidentit të zgjedhur, për çështje kryesore si Rusia, Irani, tregtia dhe mospërhapja e armëve bërthamore.

Disa nga këto kundërshti kanë të bëjnë me temat kryesore që zoti Trump përdori në rrugën e tij drejt Shtëpisë së Bardhë.

Një ndër premtimet kryesore të fushatës së zotit Trump ishte ndërtimi i një muri përgjatë kufirit SHBA – Meksikë për të ndaluar emigracionin e paligjshëm.

Por, kur u pyet për këtë gjatë seancës së konfirmimit për t’u bërë sekretar i sigurisë, ish-gjenerali John Kelly, nuk u tregua aq i ashpër sa eprori i tij i ardhshëm.

“Thjesht një barrierë fizike nuk bën punë”, tha ai.

Një tjetër tematikë e zotit Trump është miqësimi me Rusinë.

“A nuk do të ishte e mrekullueshme të merreshim vesh me Rusinë dhe vende të tjera, dhe të gjithë së bashku t’i qepeshim ISIS-it për ta shkatërruar? A nuk do të ishte gjë e mirë?”, kishte thënë zoti Trump.

Por, i emëruari i zotit Trump për sekretar mbrojtjeje përmendi Rusinë si një ndër tre kundërshtarët kryesorë të SHBA.

“Mendoj se më e rëndësishme është të pranojmë realitetin e veprimeve të zotit Putin, i cili po përpiqet të prishë aleancën e Atlantikut të Veriut,” u shpreh zoti Mattis.

Të emëruarit për anëtarë të kabinetit të zotit Trump e distancuan veten nga Presidenti i zgjedhur, për çështje si torturat ndaj të akuzuarve për terrorizëm, apo marrëveshja e Partneritetit Trans-Paqësor.

Si do të funksionojë ekipi i ri i administratës Trump? John Hudak, i Institutit Brookings, ngre pikëpyetje për funksionimin e këtij lloji rivaliteti të brendshëm.

“Nuk kemi shenja nga fushata se Donald Trump toleron mosmarrëveshje në ekipin e tij, kështu që mendoj se kjo do të jetë një sfidë e vërtetë për të.”

Por, deri më tani, zoti Trump nuk duket se e ka problem që disa prej këshilltarëve të tij më të besuar të parashtrojnë opinione krejt të ndryshme, madje u ka kërkuar të thonë atë që mendojnë.

Seancat e konfirmimeve do të vazhdojnë edhe gjatë javës së ardhshme, kur në Senat do të votohet për emrat e propozuar./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat