Ndalimi i hyrjes në SHBA: Kush preket nga urdhri i Trumpit?

Amerika

Ndalimi i hyrjes në SHBA: Kush preket nga urdhri i Trumpit?

Më: 31 janar 2017 Në ora: 12:33
Nju Jork

Urdhri ekzekutiv i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ndalon hyrjen në SHBA të të gjithë refugjatëve për 120 ditë dhe të refugjatëve sirianë për kohë të pacaktuar.

Urdhri Mbrojtja e Kombit nga Hyrja e Terroristëve të Huaj në SHBA ka hyrë në fuqi menjëherë pasi është lëshuar, më 27 janar.

Urdhri, po ashtu, u ndalon përkohësisht hyrjen në SHBA njerëzve nga shtatë vende me shumicë myslimane: Irani, Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni - derisa të futet një sistem më i rreptë i verifikimit të vizave.

Gazeta New York Times ka raportuar se Doganat dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA-së kanë udhëzuar avio-kompanitë që të ndalojnë pasagjerët që vijnë nga vendet në listë të zezë, të hyjnë në fluturimet drejt SHBA-së. Gazeta ka thënë se edhe anëtarët e ekuipazhit që vijnë nga vendet e tilla, janë ndaluar të hyjnë në SHBA.

Tashmë ka pasur polemika për statusin e qytetarëve nga këto vende, të cilët kanë arritur në SHBA me viza të lëshuara përpara urdhrit ekzekutiv. Edhe pse me urdhër, atyre u është ndaluar hyrja, gjykatës në katër qytete të SHBA-së, me aeroporte të mëdha ndërkombëtare, kanë vendosur që këta individë të mos dëbohen.

Vendimi i gjykatësve, megjithatë, duket se është i kufizuar vetëm për njerëzit që kanë qenë në aeroporte të SHBA-së në kohën e njoftimit të ndalesës dhe se nuk do të vlejë për njerëzit që do të arrijnë në të ardhmen, me viza të lëshuara më parë.

Vendimi i gjykatësve nuk e ka sfiduar legjitimitetin e vetë urdhrit ekzekutiv. Me ligjin e SHBA-së, presidenti ka kompetenca të gjera për të kontrolluar migracionin dhe mund të pezullojë hyrjen e “të gjithë të huajve ose ndonjë kategorie të të huajve si migrantë ose jomigrantë” nëse ai konsideron se hyrja e tyre është e dëmshme për interesin kombëtar.

Administrata amerikane e ka bërë të qartë se masa 90-ditëshe nuk do të thotë se udhëtimi do të rivendoset automatikisht pas kësaj periudhe. Gjatë 90 ditëve, Qeveria e SHBA-së do të vendosë se si do të bëhen gjërat pas 27 prillit.

Urdhri nuk përcakton shprehimisht kufizime të udhëtimit ndaj qytetarëve të shtatë vendeve, të cilët janë po ashtu banorë të përhershëm të SHBA-së, apo posedues të kartës së gjelbër.

Më 29 janar, sekretari i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, John Kelly, ka thënë se mendon se “hyrja e banorëve të ligjshëm është në interesin kombëtar të SHBA-së”.

Megjithatë, ai dhe zyrtarë të tjerë amerikanë kanë thënë se poseduesit e kartës së gjelbër nga vendet në listën e zezë mund të përballen me kontrolle apo pyetje shtesë kur të pranohen në SHBA.

Individët nga vendet në listë të zezë, të cilët po ashtu kanë shtetësinë e një vendi tjetër, pos SHBA-së, nuk lejohen të hyjnë në SHBA për 90 ditë.

Ka pasur pyetje nëse ka përjashtime për njerëzit që kanë shtetësi të dyfishtë me një vend që është aleat i afërt i SHBA-së, si për shembull Kanadaja ose Britania. Sekretari i Jashtëm britanik ka thënë se Uashingtoni e ka siguruar atë se ndalesa nuk aplikohet për ata që kanë shtetësi të dyfishtë britanike.

Urdhri ekzekutiv, ndërkaq, nuk aplikohet për shtetasit amerikanë, pa marrë parasysh nëse personi ka lindur në SHBA ose është bërë shtetas pas migrimit në SHBA.

Qytetarët amerikanë që udhëtojnë në shtatë vendet e listës së zezë mund të përballen po ashtu me pyetje shtesë pas rikthimit në SHBA.

“Nëse je shtetas amerikan që shkon e vjen në Libi, ka shumë gjasa që të përballesh me pyetje kur arrin në një aeroport”, ka thënë shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Reince Priebus, për rrjetin televiziv NBC.

Sa u përket refugjatëve sirianë, urdhri i presidentit Trump i ndalon të gjithë ata të hyjnë në SHBA për një periudhë të pacaktuar.

Prapëseprapë, urdhri thekson se individët mund të pranohen, në raste të caktuara, “kur personi është pakicë fetare në vendin e tij dhe përballet me persekutim fetar”. Trump i ka përmendur të krishterët në Siri si shembull.

Derisa urdhri pezullon plotësisht pranimin e refugjatëve nga kudo në botë, për 120 ditë, prapë ekziston mundësia për përjashtime, përfshirë këtu pakicat e persekutuara fetare.

Se a do të përfshihen vende të tjera në listën e zezë në të ardhmen, tash për tash nuk dihet. Priebus ka thënë se shtatë vendet, që ndodhen aktualisht në listën e zezë, janë zgjedhur pasi Kongresi dhe administrata e ish-presidentit Barack Obama i kanë identifikuar ato si “vendet më të vëzhguara për strehim të terroristëve”. Ai ka thënë se mund të shtohen edhe vende të tjera, por nuk ka dhënë detaje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat