Moszbatimi i urdhërit ekzekutiv dhe shkarkimi i prokurores së përgjithshme

Amerika

Moszbatimi i urdhërit ekzekutiv dhe shkarkimi i prokurores së përgjithshme

Më: 31 janar 2017 Në ora: 16:42
Presidenti Trump me stafin e tij

Disa orë pasi Presidenti Donald Trump shkarkoi Prokuroren e Përgjithshme në detyrë, Sally Yates, e cila refuzoi të mbështesë urdhërin e tij kufizues ndaj emigracionit, zëvendësuesi i saj urdhëroi stafin e Departamentit të Drejtësisë “të mbrojnë urdhërat e ligjshme të presidentit tonë”.

Presidenti Trump caktoi zotin Dana Boente në detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, derisa Senati të konfirmojë të emëruarin për këtë post, Senatorin Jeff Sessions. Komisioni i Senatit për Gjyqësorin voton sot dhe pritet që brenda kësaj jave të bëhet konfirmimi nëpërmjet votimit në seancë plenare.

Dje, zonja Yates, e cila ishte emëruar nga Presidenti Barack Obama, kishte komunikuar me shkrim me punonjësit e Departamentit të Drejtësisë, të cilëve u tha se nuk ishte e bindur për ligjshmërinë e mbrojtjes së urdhërit ekzekutiv të Presidentit Trump.

Zonja Yates shprehej se: “Përgjegjësia ime është të sigurohem që pozicioni i Departamentit të Drejtësisë të jetë jo vetëm i mbrojtshëm ligjërisht, por edhe se është i bazuar tek pikëpamja jonë se çfarë përfaqëson ligji, pasi kemi marrë në konsideratë të gjitha faktet. Gjithashtu, unë kam përgjegjësinë të sigurohem që të gjitha pozicionet që ne mbajmë në gjykata të jenë në përputhje me detyrimin solemn të institucionit për drejtësi.”

Shtëpia e Bardhë kritikoi menjëherë zonjën Yates në një deklaratë, ku njoftohej gjithashtu edhe shkarkimi i saj, dhe ku thuhej se ajo “tradhëtoi Departamentin e Drejtësisë duke refuzuar të zbatonte një urdhër të ligjshëm që synon mbrojtjen e shtetasve të SHBA-së”.

Deklarata e zyrës së sekretarit të shtypit qartëson se urdhëri ekzekutiv i Presidentit Trump ishte miratuar “për nga forma dhe ligjshmëria” nga Zyra e Këshilltarit Ligjor, të Departamentit të Drejtësisë.

Zonja Yates shprehej në udhëzimin e saj se opinioni i kësaj zyre nuk merr parasysh mendimet e shprehura nga zyrtarë të tjerë të administratës, puna e të cilëve mund të lidhet me tematikën e urdhërit ekzekutiv, dhe nuk gjykon nëse politika në fjalë është “e duhur apo e drejtë”.

Urdhëri ekzekutiv, i nënshkruar javës së kaluar, pezullon për 120 ditë hyrjen në Shtetet e Bashkuara të të gjithë refugjatëve, si dhe përjashton pa afat refugjatët sirianë. Urdhëri gjithashtu bllokon për 3 muaj hyrjen në SHBA, të personave nga Iraku, Irani, Libia, Siria, Sudani, Jemeni dhe Somalia.

Shtëpia e Bardhë e mbrojti sërish urdhërin duke thënë se “kontrolli më i rreptë për individët që vijnë nga shtatë vende të rrezikshme, nuk është masë ekstreme”.

Zoti Trump propozoi rreth një vit më parë një ndalim hyrjeje në SHBA për të gjithë myslimanët, deklaratë të cilën e ndryshoi duke u shprehur për “kontroll ekstrem” të personave nga vende të lidhura me terrorizmin.

Vendimi i Presidentit për shkarkimin e zonjës Yates u kundërshtua nga shumë anëtarë demokratë të Kongresit, ndër ta edhe kreu i demokratëve Steny Hoyer, i cili e quajti vendimin “alarmues”.

Zoti Hoyer u shpreh se: “Populli amerikan duhet të vrasë mendjen nëse Presidenti Trump thjesht synon të shkarkojë këdo që e kundërshton, dhe shpresoj që kolegët e mi republikanë të ngrenë zërin për këtë çështje”.

Senatori Chuck Schumer, i cili e quajti kufizimin ndaj emigrantëve si “anti-amerikan”, shkruajti në Twitter se “prokurori i përgjithshëm betohet për besnikëri ndaj ligjit dhe Kushtetutës, dhe jo ndaj Shtëpisë së Bardhë. Është drithërues fakti që kjo administratë nuk e kupton këtë gjë.”

Një nga rivalët e zotit Trump gjatë garës në Partinë Republikane, Senatori Ted Cruz, mbrojti me forcë vendimin për shkarkimin e zonjës Yates, duke e përshkruar veprimin e saj si gjestin e fundit të Departamentit të Drejtësisë të zotit Obama.

Zoti Cruz tha se: “Presidenti Trump me shumë të drejtë shkarkoi një prokurore të përgjithshme në detyrë, e cila refuzoi të kryejë detyrën e saj kushtetuese në mbrojtje të ligjit”.

Senatori Dick Durbin, anëtar i komisionit që voton për emërimin e zotit Sessions, tha se nëse reagimi i zotit Trump ndaj zonjës Yates përfaqëson mënyrën se si ai përballet me jodakortësinë, ky “është një drejtim i rrezikshëm për Amerikën”.

Zoti Sessions ka qenë vetë anëtar i Komisionit të Senatit për Gjyqësorin në vitin 2015, kur zonja Yates iu nënshtrua procesit të konfirmimit për postin e zëvendësprokurores së përgjithshme në administratën Obama.

Gjatës asaj seance dëgjimore, ai pati pyetur zonjën Yates: “Nëse pikëpamjet që dëshiron të zbatojë Presidenti janë të paligjshme, a duhet të thonë ‘jo’ kryeprokurori dhe zëvendëskryeprokurori?”.

Zonja Yates ishte përgjigjur: “Senator, unë besoj se kryeprokurori dhe zëvendëskryeprokurori kanë detyrimin të ndjekin ligjin dhe Kushtetutën, dhe t’i japin këshilla të pavarura ligjore Presidentit.”

Kundërshtitë ndaj urdhërit ekzekutiv të Presidentit Trump po vijnë edhe nga ish-zyrtarë, si një grup prej mbi 130 personash që kanë shërbyer nën Presidentët Obama dhe George W. Bush. Ata i drejtuan një letër dje krerëve të Departamentit të Drejtësisë, Departmentit të Shtetit dhe Departamentit të Sigurisë, ku shprehin “shqetësim të thellë” për urdhërin, për të cilin thonë se “do të shkaktojë dëm afatgjatë për sigurinë tonë kombëtare”.

Letra thotë se partnerët kundërterrorizmit në Evropë po distancohen nga SHBA-ja, duke zhbërë kështu vite përpjekjesh afrimi.

Ish-zyrtarët gjithashtu thonë se: “Për shkak se urdhëri diskriminon udhëtarët dhe emigrantët myslimanë, i ka dërguar tashmë mesazhin e gabuar komunitetit mysliman në SHBA dhe në mbarë botën – se qeveria amerikane po i lufton për shkak të besimit të tyre”.

Ish-zyrtarët mirëpritën sqarimin se rezidentëve të ligjshëm nuk do t’u ndalohet hyrja në SHBA, por bëjnë thirrje që të punohet “për të lejuar edhe segmente të tjera njerëzish që të hyjnë në vend”.

Ndër firmëtarët e letrës janë ish-Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, ish-Sekretarja e Sigurisë, Janet Napolitano, ish-Këshilltarja e Sigurisë Kombëtare, Susan Rice, dhe ish-Drejtori i CIA-s, Michael Hayden.

Në axhendën e Presidentit Trump përfshihet nënshkrimi sot i një tjetër udhëri ekzekutiv, por nga Shtëpia e Bardhë nuk janë dhënë detaje.

Sipas agjensive të lajmeve Associated Press dhe Vox, një ndër projekt-urdhërat që Presidenti Trump po shqyrton, do të urdhëronte Departamentin e Sigurisë të klasifikonte si persona të deportueshëm emigrantët e ligjshëm që përfitojnë nga fonde publike bazuar mbi nevoja financiare. Drafti gjithashtu kërkon të bëjë përgjegjës për rimbursim personat që kanë sponsorizuar emigrantët që në vijim kanë përfituar nga fonde publike.

Agjensitë i kanë drejtuar pyetje Shtëpisë së Bardhë për këtë draft, por nuk kanë marrë përgjigje.

Ditën e djeshme, Presidenti Trump emëroi zotin Thomas Homan, drejtor në detyrë të Agjensisë së Emigracionit dhe Mbrojtjes së Kufijve, në vend Dan Ragsdale, që do të rimarrë detyrën e zëvendësdrejtorit./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat