Thirrje Presidentit Trump për prova mbi akuzat kundër Obamës

Amerika

Thirrje Presidentit Trump për prova mbi akuzat kundër Obamës

Më: 5 mars 2017 Në ora: 15:12
Donald Trump dhe Barak Obama

Reagime të forta kanë pasuar postimet e Presidentit Trump në Twitter ku akuzon se pararendësi i tij, Barak Obama ka dhënë urdhër për të përgjuar bisedat telefonike të zotit Trump gjatë fushatës zgjedhore. Ligjvënës me peshë nga të dyja krahët e spektrit politik po i bëjnë thirrje presidentit Trump të ofrojë prova konkrete për akuzat e tij:

Akuzat e Presidentit Trump përmes postimeve në Twitter reflektojnë një irritim të dukshëm. Shumë analistë i kanë interpretuar akuzat si reagim ndaj vëmendjes që i është kushtuar kontakteve të personave të afërt me presidentin dhe zyrtarëve të lartë rusë.

Në postimet e tij, zoti Trump ka akuzuar për një komplot për të minuar fushatën e tij, duke i krahasuar aktet me skandalin e Watergatit që i kushtoi Richard Nixonit presidendencën dhe me “McCarthismin” një referencë ndaj hetimeve të viteve 1950, bazuar në akuza shpesh të pabaza, për përfshirje në aktivitet politik të një numër figurash publike.

Presidenti Trump në disa pastime e i referohet Barack Obamës si “njeri i keq” apo “njeri i sëmurë”.

Një zëdhënës i zotit Obama reagoi duke i cilësuar akuzat “thjesht fallso”.

Nuk është e qartë nga postimet e Presidentit Trump nëse informacioni të cilit i referohet lidhet me ndonjë dosje informacioni, bisedë apo artikull në internet. Në të kaluarën presidenti u është referuar aludimeve të bëra në blogje apo faqe elektronike me kahje konservatore, në disa raste me deklarata të pavërtetuara.

Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar mbi informacionin ku bazohen akuzat e presidentit. Me ligj presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk mund të japë urdhër për të përgjuar shtetas amerikanë. Përgjimi mundësohet pasi Departamenti i Drejtësisë siguron autorizim nga Gjykata e Shërbimeve të Zbulimit, e cila vepron në kushte sekrete.

Zëdhënësi i zotit Obama, Kevin Lewis tha se ishte rregull parësor për administratën Obama që asnjë zyrtar të mos ndërhynte në procese hetimore të Departamentit të Drejtësisë, të cilat duhet të kryehen pa ndërhyrje politike.

Ligjvënësi demokrat Adam Schiff i cilësoi komentet e Presidentit Trump si “akuzat më absurde dhe shkatërrimtare pa ofruar asnjë grimcë prove”.

Senatori republikan Ben Sasse i bëri thirrje presidentit të japë shpjegime mbi rrethanat që e çuan në këtë përfundim “që të sqarohen për publikun e gjerë, ose së paku për Senatin”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat