U arrestua personi që depërtoi në kompleksin e Shtëpisë së Bardhë

Amerika

U arrestua personi që depërtoi në kompleksin e Shtëpisë së Bardhë

Më: 12 mars 2017 Në ora: 14:22
Pamje e pjesës veriore të Shtëpisë së Bardhë dhe gardhit metalik rreth saj

Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara ka njoftuar dje se një person me një çantë në shpinë është arrestuar në kompleksin e Shtëpisë së Bardhë, pasi gjatë natës e kishte kaluar një mur.

Në kumtesën për këtë rast theksohet se presidenti, Donald Trump, ishte brenda Shtëpisë së Bardhë pak kohë para mesnatës së ditës së premte, kur personi kishte depërtuar.

Ai ishte arrestuar pranë hyrjes jugore të Shtëpisë së Bardhë, që është afër pjesës ku banon presidenti.

Autoritetet nuk e kanë zbuluar menjëherë identitetin e të dyshuarit, i cili nuk ka histori të arrestimit të mëparshëm.

Rrjeti televiziv CNN ka raportuar duke u bazuar në një burim të sigurisë, se zoti Trump nuk ishte në kurrfarë rreziku.

Presidenti Trump tha se i arrestuari ishte “person problematik”.

Një depërtim i tillë në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2014, ka çuar në dorëheqje të drejtoreshës së Shërbimit Sekret, Julia Pierson. Po ashtu, ishin bërë rekomandime për rritje të sigurisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat