Presidenti Trump vazhdon t'i përmbahet deklaratave të tij politike

Amerika

Presidenti Trump vazhdon t'i përmbahet deklaratave të tij politike

Më: 24 mars 2017 Në ora: 16:31
Presidenti Donald Trump

Pas dy muajve të presidencës së tij, Presidenti Donald Trump vazhdon t’u përmbahet plotësisht deklaratave të tij politike, megjithëse zyrtarë të Uashingtonit, ekspertë dhe verifikues të fakteve thonë se ato nuk qëndrojnë.

Në një intervistë dje me revistën “Time”, zoti Trump refuzoi të tërheqë një sërë akuzash të pavërtetuara, ndër to edhe atë që ish-Presidenti Barack Obama përgjoi zyrat e tij në Kullën Trump në Nju Jork gjatë javëve përpara zgjedhjeve të nëntorit, apo se në zgjedhje votuan edhe 3 milionë emigrantë pa dokumenta, ose që myslimanë në Nju Xhersi kanë festuar për sulmet terroriste të vitit 2001 në Nju Jork.

Zoti Trump nuk ka provuar asnjë nga të tre pretendimet dhe shumë njerëz janë shprehur se ato janë thjesht të pavërteta.

“Jam person shumë instiktiv, por instiktet e mia rezultojnë të jenë të drejta”, tha zoti Trump. “Kur të gjithë thanë se unë nuk do t’i fitoja zgjedhjet, unë thashë se mund t’i fitoj.”

Në lidhje me akuzën për përgjimin, presidenti i 45-të i vendit tha: “Le të shohim çdo të ndodhë. Unë kam parashikuar shumë gjëra për të cilat u desh pak kohë të vërtetohen.”

Zoti Trump foli për revistën “Time”, ndërkohë që lajmi i ditës në Uashington ishin komentet e kryetarit republikan të Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve Devin Nunes se këshilltarë të zotit Trump dhe ndoshta edhe vetë zoti Trump, ishin përfshirë rastësisht në një përgjim të ligjshëm bisedash, ndërsa zoti Trump ishte në procesin e tranzicionit të pushtetit pas zgjedhjeve. Por nga ana tjetër, si zoti Nunes, apo drejtori i FBI-së James Comey dhe disa zyrtarë të sigurisë kombëtare kanë thënë se zoti Obama nuk e ka përgjuar zotin Trump.

Në lidhje me njoftimin e zotit Nunes për përgjimin, zoti Trump tha: “Ende nuk dihen shumë gjëra. Ai sapo e mori këtë informacion. Ky është informacion i ri, që zyrtarët ishin përgjuar nga administrata Obama pas zgjedhjeve të nëntorit. Kjo sapo u bë ditur.”

Pasi u takua më vonë me zotin Nunes, Presidenti tha se në një farë mënyre pretendimet e tij që është përgjuar nga zoti Obama po vërtetoheshin disi, ndonëse të dhënat e reja nuk përputhen me ato që ai shkroi përmes Twitter-it më 4 mars.

Ndërsa, në lidhje me 3 milionë votuesit e paligjshëm, zoti Trump tha: “Mendoj se do të dalë që kam të drejtë edhe për këtë. Njerëz të mitë thonë se ishin më shumë se aq. Po krijojmë një komision. Dhe do ta studiojmë këtë problem shumë serioz.”

Ai gjithashtu citoi një artikull të vitit 2001 në gazetën “The Washington Post”, në të cilin përmendej shkurtimisht një pretendim i paverifikuar se myslimanë kishin festuar në ditën e sulmeve terroriste të 11 shtatorit, por policia në Nju Xhersi tha se nuk pati festime. Gjatë fushatës elektorale, zoti Trump pati pretenduar gabimisht se një gjë të tillë e kishte parë në televizion.

Krahas fitores së tij, zoti Trump tha se ka parashikuar saktë, ndër të tjera, daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian, trazirat mes emigrantëve në Suedi dhe, se email-et e rivales demokrate, ish-Sekretares së Shtetit Hillary Clinton, do të gjendeshin në kompjuterat e një kongresmeni, ish-bashkëshort i një ndihmëseje të zonjës Clinton.

Për raste të tjera, zoti Trump tha se ai më tepër ka përcjellë pretendime të paqarta të shfaqura në botime që ai lexon ose dëgjon, si p.sh. pretendimi se babai i Senatorit Ted Cruz, rivali kryesor i zotit Trump gjatë garës së vjetshme për nominimin republikan, ishte mik i Lee Harvey Oswald-it, personit që vrau Presidentin John F. Kennedy në vitin 1963.

“Pse më thonë se duhet të kërkoj ndjesë?”, pyeti zoti Trump. “Unë vetëm citoj gazetën”.

I pyetur nëse shqetësohet se i dëmtohet besueshmëria me këto pretendime false, zoti Trump u përgjigj: “Ju lutem më thoni çfarë është gabim!”

“Çfarë t’ju them?”, përfundon zoti Trump. “Zakonisht kam të drejtë. Jam një person instiktiv. Ka qëlluar të jem një person që e di se si funksionojnë gjërat në jetë.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat